Greva e pilotëve të “British Airways” – Anulohen 1,700 fluturime. Sindikata kërkon ndarje të fitimit

Pilotët e British Airways kanë nisur një grevë dy-ditore të Hënën, duke pezulluar thuajse të gjithë fluturimet,  për shkak të një konflikti në lidhje me pagat.  Linja ajrore, pjesë e grupit International Airlines (IAG), ka pezulluar 1,700 fluturime në aeroportet Heathrow dhe Gatwick të Londrës, për shkak të veprimeve nga Shoqata Britanike e Pilotëve (BALPA).

Kjo është greva e parë e pilotëve të British Airways.  “Kërkoj ndjesë për veprimet cinike të sindikatës së pilotëve, që na kanë vënë në këtë pozitë”, tha Alex Cruz, kreu ekzekutiv i linjës ajrore. Sipas tij, kjo do të ndëshkojë klinetët, reputacionin e firmës dhe pjesën e mbetur të kolegëve.

British Airways i ofroi pilotëve një rritje të pagës me 11.5% në tre vite, që do ta çojë pagën e pilotëve më të paguar në mbi 200,000 paund. Pilotët mestarë fitojnë rreth 90,000 paund në vit.

Sindikata kërkon që marrëveshja e pagës të përfshijë edhe ndarjen e fitimit. “British Airways ndodhet në periudhë të fortë. Ne kërkojmë të ndajmë këto fitime, ashtu si ç’bëmë në periudhat e vështira”, tha Brian Strutton, sekretari i përgjithshëm i sindikatës së pilotëve.

Linja ajrore tha se nuk kishte detaje nga sindikata se kush nga pilotët do merrte pjesë në grevë dhe nuk mund të parashikonte se sa prej tyre do të shfaqeshin në punë, e për rrjedhojë duhej të anulonte 100% të fluturimeve.

Pas grevave të Hënën dhe të Martën, një tjetër protestë pritet më 27 Shtator. Autoriteti i Aviacionit Civil në Britani po heton linjën ajrore pasi irritoi shumë pasagjerë,  duke i thënë gabimisht se fluturimet janë anuluar.

Rregullatori i bëri të ditur linjës ajrore që t’i rikujtojë klientët për të drejtat e tyre.  British Airways duhet t’i ofrojë pasagjerëve rimbursime për anulimet, fluturime alternative apo fluturim të ri në një datë më të vonë.  Zëdhënësit e Kryeministrit Boris Johnson i bënë thirrje të dyja palëve që të ndalojnë konfliktet.