Skandal në Francë, ngatërrohet himni i Shqipërisë (VIDEO)

Një skandal i padëgjuar në historinë e futbollit ka ndodhur në nisje të ndeshjes mes Francës dhe Shqipërisë, në “Stade de France”.

Një gabim trashanik është bërë nga organizatorët e ndeshjes në kryeqytetin francez, të cilët ngatërruan himnin e Shqipërisë, para nisjes së sfidës. Në momentin që duhej kënduar himni i Shqipërisë, organizatorët kanë vendosur himnin e Andorës.

Lojtarët tanë kanë protestuar menjëherë. Si rrjedhojë, lojtarët shqiptarë nuk kanë vazhduar me procedurën për t’i dhënë dorën kundërshtarëve, dhe çdo gjë është pezulluar në pritje që organizatorët francezë të gjejnë himnin shqiptar. Situata ka qenë e paprecedentë dhe ka sjellë tensione mes tifozerisë së shumtë shqiptare.

Por kjo nuk ishte fyerja e vetme për Shqipërinë. Pas incidentit të pakëndshëm që u krijua në minutat para fillimit të ndeshjes, kur në vend të himnit të Shqipërisë u vendos gabimisht ai i Andorrës, organizatorët francezë vendosën të kërkojnë falje, por sërish bënë një gabim të dytë. Zëri që u dëgjua në altoparlantët e stadiumit, u kërkonte falje tifozëve të Armenisë, jo të Shqipërisë, për gabimin që ishte bërë me ngatërrimin e himnit në minutat e para.

Vetëm pas këndimit të himnit, ndeshja ka nisur në orën 20:50.

Nuk dihet çfarë justifikimesh kanë dhënë autoritet që organizojnë takimin dhe mirëmbajnë stadiumin te Federata Shqiptare e Futbollit, por një skandal i tillë ka nevojë për sqarime zyrtare.

Megjithatë në fushë Franca po na rreh keq. Deri tani 3-0 për francezët.

VIDEO/ Momenti si reagojnë lojëtarët shqiptarë kur ngatërrohet himni

VIDEO/Momentet e tensionit në ekipin e Shqipërisë