Rama mbron Kajmakun, një muaj pas denoncimit asnjë verifikim

Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, i zgjedhur në mënyrë të paligjshme në 30 qershor nuk ka dhënë sqarime bindëse për akuzat që i ka bërë PD. Demokratët pretendojnë se Kajmaku, i cili më parë mbante emrin Jorgo Toto është arrestuar disa vite më parë në Greqi pasi është kapur me para të falsifikuara. Pas lirimit me kusht, Kajmaku është larguar nga Greqia, pa u dhënë vendimi ka ndërruar emrin sërish në Agim Kajmaku, dhe sipas PD, sot është në kërkim me emrin Jorgo Toto nga pala greke. Të gjitha këto akuza Agim Kajmaku i ka hedhur poshtë duke nxjerrë një pasaportë të vulosur nga autoritetet greke. Por pasaporta ka emrin Agim Kajmaku dhe jo Jorgo Toto, siç e ka pasur më herë.

Këtë çështje të komplikuar identitetesh autoritetet mund t’a zgjidhin vetëm nëse kryebashkiaku i Vorës jep shenjat e gishtërinjve. Në këtë mënyrë mund të shihet nëse njeriu i caktuar nga PS për kryetar, pra Agim Kajmaku alias Jorgo Toto është i njëjti  i arrestuar në Greqi. Nëse akuzat vërtetohen ai humbet të drejtën për të qenë kryebashkiak i Vorës, si dhe ndiqet penalisht për mashtrim më formularin e dekriminalizmit.

Akuzat e para të PD për të kaluarën e dyshimtë të Kajmakut dolën në media rreth një muaj më parë. Pas datës 15 gusht, PD ka bërë denoncime dhe ka publikuar dokumente që tregojnë se ky zyrtar ka qenë më herët i arrestuar. Prokuroria e Përgjithshme nisi me urgjencë një verifikim dhe ka dërguar disa njoftime për mediat ku jep sqarime, që në fakt nuk zbardhin asgjë nga e vërteta.

Ajo çfarë është skandal në qëndrimin e prokurorisë dhe të vet zyrtarit është se pas kaq javësh ende nuk është bërë procedura më e thjeshtë e mundshme. Marrja e shenjave të gishtërinjve. Edhe pse ligji e detyron marrjen e tyre në një kohë sa më të shpejtë, Prokuroria thotë se nuk ka gjetur adresën e kryebashkiakut të Vorës! Për këtë qëllim prokurorët fajësuan Postën e Shqipërisë, e cila nuk ka gjetur dot zyrën shtetërore ku ushtron detyrën Kajmaku. Por qëndrimi i Prokurorisë i përgënjeshtrua po nga Posta e Shqipërisë, e cila në një njoftim zyrtar deklaroi se fletëthirrja është dorëzuar në Bashkinë e Vorës dhe në adresë të kryetarit.

Ende sot Prokuroria nuk ka marrë shenjat e gishtërinjve duke dëshmuar shkelje flagrante ligjore. Vetë Kajmaku nuk ka denjuar që të paraqitet në Prokurori. Të gjitha këto zhvillime tregojnë se kjo ngjarje po përpiqet të fshihet dhe të anashkalohet nga institucionet.

Kryeministri Edi Rama nuk ka folur asnjëherë për akuzat ndaj njeriut të zgjedhur nga ai duke lënë të kuptohet se po pret institucionet të flasin. Por prokuroria nuk ka ndërmend të merret seriozisht me këtë çështje dhe fijet e kësaj shmangie ligjore duhen kërkuar sërish të kryeministri. Pas skandalit të Shkodrës, dalja e skandalit të Vorës në këto momente do ishte një tjetër goditje e rëndë e qeverisë dhe dëshmi e kriminalizimi të Rilindjes. Kajmaku nuk është thjesht një kryebashkiak i emëruar, por edhe një biznesmen me histori të gjatë bashkëpunimi me kryeministrin Edi Rama. Duket se kreu i qeverisë nuk po mbron vetëm kryebashkiakun e Vorës, por edhe biznesin që ka marrë tendera me bollëk nga qeveria.

PD: Prokuroria gjënjeu për çështjen e Kajmakut. Kemi 3 pyetje kyçe