Projektligji për sigurimin e detyrueshëm – Qëndron pezull prej më shumë se një viti

Miratimi i ligjit të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit është shndërruar në një odise të mirëfilltë që po zvarritet prej vitesh. Megjithëse Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka propozuar një variant të projektligjit që në pranverën e vitit të kaluar, ende Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk e ka dërguar për miratim në qeveri. Mes të tjerash, ky ligj duhet të krijonte bazën ligjore për aplikimin e sistemit bonus-malus në sigurimet e detyrueshme motorike. Por, vonesat për miratimin e ligjit e shtynë AMF që ta vendoste aplikimin e këtij sistemi përmes një rregulloreje të veçantë, në dakordësi me kompanitë e sigurimeve.

Megjithatë, ligji i ri nuk lidhet vetëm me sistemin bonus-malus, por duhet të sjellë edhe të tjera risi të rëndësishme në treg. Sipas projektligjit, primet  e sigurimit të detyrueshëm motorik duhet të miratohen nga AMF dhe nuk mund të ndryshojnë më shpesh se dy herë në vit.

Projektligji i hartuar nga AMF parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të lidhin marrëveshje në mënyrë të siguruarit të zhdëmtohen direkt nga kompania ku janë të siguruar dhe jo nga kompania e shkaktarit të dëmit.

Një tjetër risi tjetër pritet të jetë vendosja e Fondit të Kompensimit nën kontrollin direkt të AMF, që do të zgjedhë tre anëtarët e Bordit, përfshi drejtorin. Fondi i Kompensimit është përgjegjës për pagesën e dëmeve të shkaktuara nga mjetet e pasiguruara. Prej vitesh, funksionimi i këtij fondi ka qenë problematik dhe vetëm në dy vitet e fundit është arritur shlyerja e miliarda lekë dëmeve të akumuluara për vite e vite me radhë. Fond ii Kompensimit do të ndahet nga Byroja e Sigurimit dhe do të funksionojë si ent i veçantë, me një fond minimal prej 150 milionë lekësh.