Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretin e Metës për kthimin e ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”

Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar dekretin e presidentit Ilir Meta për kthimin në Kuvend të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”.

Këshilltari i Presidentit, Bledar Dervishaj paraqiti para Komisionit arsyet e kthimit të ligjit për vetëqeverisjen vendore.

Dervishaj argumentoi se ndryshimet në nenin 3 dhe 4 janë të pajustifikuara dhe nuk garantojnë mbrojtjen e interesit publik.

Pjesë nga debati:

Bledar Dervishaj: “Presidenti Meta shqyrtoi ligjin për ‘Vetëqeverisjen vendore’ bazuar në përmbajtjen e akteve pasi bëri një vlerësim të kujdesshëm në raport me interesin publik. Dispozitat e nenit 1 janë një hap pozitiv. Referuar nenit 3 dhe 4 gjatë shqyrtimit janë propozuar disa ndryshime që synojnë procesin vendimmarrës. Këto ndryshime janë të pajustifikuara sepse nuk garantojnë mbrojtjen e interesit publik. Nëpërmjet ndryshimeve referuar nenit 3 dhe 4 ulet kontrolli i shtetit.”

Bashkim Fino: “Në gjithë relacionin që kam lexuar po vërej me keqardhje se i gjithi është drejtuar kundër relatorit. Mesa duket presidenti e paska personale me mua. Presidenti i di procedurat si veprohet kur një projektligj vjen nga qeveria. Nuk mund të ngacmojmë ligjin sa herë ka kërkesa. Ne duhet ta rrezojmë dekretin e presidentit për nenin 3 dhe 4.”

Bledar Dervishaj: “Vendimi i Presidentit është i bazuar mbi ligjin, nuk ka asgjë personale me Finon.”

Ulsi Manja: “Nuk është argument që prona mbrohet më mirë me 3/5 se sa me shumicë të Këshillit Bashkiak. Ligji ia ka dhënë kompetencën kryetarit të bashkisë që te vendosë edhe për zhvillimin e qytetit.”