Cana: Shqipëria në tranzicion, s’duhet të na gënjejë mendja ndaj Francës

Lorik Cana mban ende rekordin e më shumë ndeshjeve (94) me kombëtaren tonë. Në moshën 36-vjeç, ish-kapiteni mbetet mbështetësi i parë i kuqezinjve, teksa këtë të shtunë do të sfidojnë Francën në kualifikueset për “Euro 2020”. Ditën e sotme Loriku ka dhënë një intervistë të gjatë për “Le Parisien” duke evidentuar faktin se “gjelat” janë favorit në grupin tonë.

 

A mund të japë Turqia një ide se edhe Shqipëria mund ta mundë Francën?

Konteksti nuk është i njëjtë. Ndeshja u luajt në Turqi në atë kohë. Gjithçka varet nga detajet. Franca mbetet një favorite e madhe në grup. Pas triumfit në Kupën e Botës, ata vijojnë të mbeten të fortë dhe synojnë që të sigurojnë sa më shpejt kualifikimin. Humbja ka komplikuar situatën e kombëtareve të tjera. Nuk do të jetë e thjeshtë që të merret pikë ndaj Bluve, jo vetëm për Shqipërinë.

Cili është këndvështrimi juaj për Shqipërinë që mban vendin e 64-t në renditjen e FIFA-s?

Jemi në një periudhë tranzicioni me futbollist që kanë qenë në “Euro 2016” dhe të rinj. Do tentojmë një mrekulli të dytë, por do të jetë e vështirë. I kemi nisur eliminatoret me një humbje 2-0 ndaj Turqisë. Disa futbollistë nuk janë konfirmuar që nga “Euro 2016”. Disa të tjerë, si unë, janë tërhequr nga aventura ndërkombëtare. Ky boshllëk nuk është mbushur, ka një boshllëk mes gjeneratave.

Përse kështu?

Kombëtarja gjatë 7 apo 8 viteve ka marrë futbollistë nga kombe të ndryshme si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Tani, në bazë të vendit të lindjes, ata bëhen pjesë e Maqedonisë së Veriut apo Kosovës. Brezi i “moshës së artë” është pak pas nesh. Do të jetë një situatë e komplikuar kur futbollistët e “Euro 2016” të ndalen. Sfida për vitet e ardhshme do të jetë lejimi i futbollistëve të rritur në Shqipëri për të treguar vlerat e tyre edhe në kombëtare.

Cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të ekipit që drejtohet nga Edy Reja?

Futbollistët tanë kanë treguar gjithmonë një përkushtim të madh për kombëtaren. Po përgatiten mirë për të qenë sa më koherent dhe të organizuar për të pësuar sa më pak gola. Por shënojmë pak gola. Nuk kemi shumë shpresa në ndeshjen ndaj Francës, por do të kemi më shumë në sfidën e së martës ndaj Islandës, që na japë një shpresë të vogël për kualifikim. E përsëris, jemi skuadër në ndërtim.

Do të jetë avantazh të luash ndaj Francës që nuk do të ketë Pogba dhe Mbappe?

Më mirë që mungojnë. Në rolet e tyre janë më të mirët në botë. Por nuk duhet të na gënjejë mendja. Duke marrë në konsideratë talentin e madh që ka Franca, ne jemi të përgatitur për një mbrëmje të vështirë edhe pse Franca mund të na japë disa shanse.

A do të drejtoni një ditë kombëtaren shqiptare?

Shumë njerëz në vendin tonë më imagjinojnë në këtë pozicion. Mua nuk më tërheq shumë ky rol. Unë duhet të dëgjoj zemrën time dhe t’u përgjigjem dëshirave të mia. Asnjëherë nuk duhet të nxitohem, një ditë mund të më mungojë fusha, por sot synoj të shkoj drejt një karriere si drejtues.

/Rozalb Lika-Koha Jone/