Shkolla “Demokracia” e rrethuar nga ujërat e ndotura

Viti akademik nis më 16 shtator dhe përgatijet kanë nisur që prej së hënës por në disa zona të Durrësit, komuniteti është i shqetësuar ndaj indiferencës se pushtetit vendor dhe ndërmarrjeve në varësi të tij për infrastrukturën përreth shkollave. Kanalet e pa pastruara të ujërave të larta që prej vitesh janë kthyer në vend për hedhjen e mbeturinave dhe burim infeksionesh e përmbytjesh rrezikojnë dhe këtë herë mbarëvajtjen e procesit mësimor.

”Jemi punonjës të pastrim-gjelbërimit. Na kanë sjellë te shkolla. Korrëm barin e shkollës dhe tani po pastrojmë këto kallamishtet buzë kanalit. Po kjo familjarja këtu nuk na lënë”- thotë një punëtor i ndërmarrjes bashkiake të pastrim-gjelbërimit. Dita e parë e shkollës po afron ndaj prindër e nxënës të shkollës “Demokracia”, në lagjen 15 të qytetit, janë tepër të shqetësuar nga kjo gjendje, që vazhdon prej vitesh e cenon sigurinë e fëmijëve, si dhe procesin mësimor pas çdo rrebeshi shiu.

“Po nuk u pastrua kanali, çfarë do të bëhet këtu. Pastro kallama kot. Kam kaq vite këtu e nuk është pastruar asnjëherë. Është gjynah për fëmijët. Bien aty. Skandal”, shprehet një tjetër punëtor. Edhe për mësuesit gjendja është problematike dhe askush nuk ka vënë dorë, pavarësisht ankesave të vazhdueshme. “Kallamat janë rritur shumë. Vjen dhe shumë erë e keqe. Problem do të jetë. Kur ka shira e gjithë rruga bllokohet. Prindërit ankohen. Kemi bërë dhe ankesa në bashki po nuk kemi marrë përgjigje. Shpresojmë”, ka thënë mësuesja.