Fondacioni ”Down Syndrome Albania”: Myslim Murrizi të japë dorëheqjen

Nuk ka mjaftuar ndjesa nga deputeti dhe nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi, i cili e cilësoi njërin prej ndjekësve të tij në facebook si “down”, pasi fondacioni “Down Syndrome Albania”, ka reaguar sërish. Përmes një kërkese me shkrim, fondacioni kërkon dorëheqjen e Murrizit.

“Murrizi ka një nivel komunikimi të papranueshëm për një politikan dhe një zyrtar që mban titullin “Nënkryetar i Parlamentit” dhe me ç’duket sado që ai të përpiqet, e ka të vështirë të ndryshojë personalitetin e tij, a të jetë në nivelin që duhet të jetë një politikan e një Nënkryetar Parlamenti”. Por ai nuk është i vetmi.Në një vend tjetër, një politikan me sjelljen dhe gjuhën si e Murrizi dhe e shumë të tjerëve, do të ishte dorëhequr. Në një vend tjetër ku institucionet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut janë vërtetë të pavarura, apo një strukturë si ajo e një parlamentit është serioze dhe në shërbim të çdo qytetari, do të kishin ndërmarrë masat maksimale ndaj çdo zyrtari, me një gjuhë dhe sjellje si kjo e disa politikanëve dhe zyrtarëve tanë”, shkruhet ndër të tjera.

Pak ditë më parë, Murrizi në një status në rrjetet sociale po komentonte mbi aktualitetin politik në vend, duke akuzuar ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Murrizi mori edhe kritika nga ndjekësit. Në përgjigje të njërit prej tyre, Murrizi ka përdorur për ofendim edhe diagnozën me sindromën Dawn.