Ndarja e Kosovës, Haradinaj treshes Rama-Thaçi-Vuçiç: Më keni kundër

Duke ju rikthyer debatit për kufinjtë e Kosovës, Kryeministri ende në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se projekti i Serbisë dhe rrezikon shtetësinë e këtij vendi.

”Ndarja është projekt i Serbisë, kushdo që e përkrah këtë projekt rrezikon arritjen më të madhe që kemi 17 shkurti, shtetin e Kosovës. Jam kundër secilit që është pro ndarjes dhe lëvizjes së kufijve”, ka thënë Haradinaj në RTV Dukagjini.

Gjatë intervistës, Haradinaj pati edhe një thirrje për politikën e Kosovës. ”Të gjithë ata që janë rreshtuar për këtë marrëveshje, më kanë kundër, sido që e kanë emrin apo çfarëdo funksioni që kanë”.

Më herët ai ka thënë se prekja e territorit për të nënkupton luftë. ”Ndarja për mua është luftë, unë këtë e them pa hezitim dhe është rrezik me fol për ndarje”, deklaroi Haradinaj, teksa debatonte për çështjen e shkëmbimit të territoreve. Sipas tij, kushdo që përmend ndarje do me i sjellë një tragjedi Ballkanit. ”Nuk është mirë me përmend ndarje. Kushdo që e përmend ndarjen, për çfarëdo arsye, e ka gabim, do me i sjellë një tragjedi Ballkanit”.