Korridoret tregtare të Ballkanit – Shqipëria merr 17.6 milionë euro nga BERZH

Në Kuvend është depozituar për ratifikim marrëveshja e huasë mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim për projektin e lehtësimit të tregtisë dhe të transportit në Ballkanin Perëndimor. Huaja është në vlerë 17.6 milion euro.  Objektivi kryesor i projektit është ulja e kostove të tregtisë dhe rritja e efikasitetit të transportit në Shqipëri përmes një angazhimi afatgjatë dhe të vazhdueshëm.

Projekti është pjesë e fazës së parë të një programi të përbashkët rajonal për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili synon të lehtësojë arritjen e qëllimit të qeverive përkatëse të këtyre vendeve për të ulur kostot e tregtisë dhe rritjen e efikasitetit të transportit përmes angazhimit afatgjatë, adaptiv dhe të vazhdueshëm.

Programi përfshin dy faza të cilat do të zbatohen për një periudhë pesë vjet secili.

Faza 1 mbulon 3 nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipërinë, Maqedoninë Veriore dhe Serbinë), të konsideruara gati për zbatim, dhe do të përfshijë një kombinim të investimeve, asistencës teknike dhe reformave rregullatore dhe institucionale.

Faza 2 e programit përfshin 3 vendet e tjera të rajonit: Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi.

Projektligji është planifikuar për t’u implementuar gjatë periudhës 2019 – 2025.

Përparësitë për realizimin e këtij projekti janë të organizuara në 3 komponentë:

Pjesa 1. Lehtësimi i lëvizjes ndërkufitare të mallrave.

Këtu përfshihen:

-projektimi dhe instalimi i National Single Window (NSW);

-përmirësimi i kalimeve kufitare në korridoret tregtare të përzgjedhura.

Pjesa 2. Rritja e efikasitetit dhe parashikueshmërisë së transportit.

Këtu përfshihen:

-përgatitja dhe projektimi i sistemit inteligjent të transportit për sektorin detar (VTMIS);

-sigurimi, instalimi dhe komisionimi i pajisjeve për zbatimin e VTMIS.

Pjesa 3. Mbështetja për menaxhimin e projektit.

Mbështetja për menaxhimin e implementimit nënkupton mbështetjen e njësisë zbatuese të projektit dhe ofrimin e mbështetjes teknike shtesë, duke përfshirë koordinimin e politikave, monitorimin dhe vlerësimin e projektit.

Rezultatet e pritshme me realizimin e këtij projekti, të cilat janë të lidhura me objektivat e zhvillimit të tij gjatë fazës së parë, janë:

– reduktimi i kostove të tregtisë

– rritja e efiçencës së transportit në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Kredia 17.6 milion euro ka një afat maturimi 23 vite duke përfshirë periudhën prej 7 vitesh pa pagesë principali. Sa i përket interesimit, marrëveshja parashikon se ai do të jetë i bazuar në normën e referencës plus marzhin e pandryshueshëm.