Përfundon ndërhyrja në shkollën e Kasharit, gati për të pritur nxënësit denjësisht

Pushimeve verore po i vjen fundi dhe shkolla po afron. Bashkia e Tiranës nuk ka pushuar asnjë ditë, edhe gjatë verës, në mënyrë që në shtator kur nxënësit të kthehen në mësim çdo gjë të jetë gati.

Krahas ndërtimit të shkollave të reja, siç është ajo “Servete Maçi”, bashkia ka punuar edhe për rikonstruksionin dhe meremetimin e shkollave të tjera, në mënyrë që asnjë fëmije pavarësisht nëse jeton në qytet apo në zonat rurale të mos i mungojë asnjë kusht për të mësuar.

Kështu, Bashkia e Tiranës ka bërë rregullimet e nevojshme edhe në shkollën “100 vjetori” në Kashar, e cila tashmë falë ndërhyrjes ka marrë një pamje krejt tjetër. “Mbaroi fasada e shkollës “100 Vjetori” në Kashar!

Krahas lyerjes, ekipi u kujdes për riparimin e çdo defekti në ambientet e shkollës, duke nisur nga ndriçimi, karriget e tavolinat e dëmtuara, tualetet e tarracën”, shkruan kryebashkiaku Veliaj në Facebook teksa publikon edhe disa foto nga shkolla.