Tre lagje të tjera bëhen me rrjet të ri ujësjellësi në kryeqytet

Gjatë ditëve të fundit u rikonstruktua plotësisht rrjeti i ri i ujësjellësit për banorët e rrugës “Mehmet Brocaj”, duke garantuar kështu furnizim me ujë të pijshëm, me të gjitha parametrat dhe cilësinë e duhur për ta përdorur atë.

Falë investimeve të Bashkisë së Tiranës në një tjetër zonë të kryeqytetit, është realizuar lidhja e re e ujit, duke bërë të mundur eliminimin e problematikave me të cilat janë ndeshur deri më tani banorët e rrugës “Mustafa Lleshi”.

Sakaq, një tjetër ndërhyrje është realizuar në rrugën “Babë Rexha”, ku grupet e punës së UKT kanë ndërhyrë në rrjetin e ujësjellësit, duke e rikthyer atë totalisht në funksion.

Nisur nga kërkesat e qytetarëve, gjatë ditëve të fundit grupet e punës të UKT kanë ndërhyrë edhe në zona të tjera të kryeqytetit, për t’i dhënë zgjidhje çdo problematike të krijuar në çdo cep të Tiranës.