Takimi Mitsotakis-Merkel, diskutohet për integrimin e Ballkanit Perëndimor

Kancelarja Angela Merkel ka pritur për herë të parë në vizitë zyrtare kryeministrin e ri grek,  Kyriakos Mitsotakis.

Vizita në Berlin e kryministrit grek është zhvilluar sipas protokollit zyrtar, ku përjashtimi i vetëm ishte se dy liderët i kanë dëgjuar himnet kombëtare të ulur, pas tre goditjeve të të dridhurave që Merkel ka pasur gjatë pritjeve të tjera zyrtare muajt e kaluar.

Në deklaratat e tyre të përbashkëta, Merkel dhe Mitsotakis i vunë theksin bashkëpunimit dypalësh sidomos në sektorin e energjisë, ndërsa ndër temat kryesore që ata biseduan ishin ekonomia dhe emigracioni, ku ranë dakord për nevojën e zbatimit të marrëveshjes se BE-së me Turqinë.

Merkel u shpreh: “Përveç marrëdhënieve dypalëshe ekonomike folëm natyrisht për emigracionin, i cili na lidh në mënyrë të ndryshme. Ne jemi të përkushtuar në marrëveshjen BE-Turqi dhe unë jam e kënaqur që një nga përparësitë e punës së qeverisë së re greke është ta rimëkëmbë realisht tani këtë marrëveshje’.

Merkel e Mitsotakis kanë diskutuar edhe për çështjet e zgjerimit të BE, duke u fokusuar tek integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor si Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, raporton TCh.

Kryeministri grek nga ana e tij ka theksuar se Greqia sheh përpara me optimizëm dhe se ai shpreson të jetë lideri që do nxjerrë përfundimisht vendin nga kriza dhe ta bëjë një shtet të fuqishëm europian.

Mitsotakis tha: “Do të dëshiroja të ndryshoja kornizën e marrëdhënieve gjermano-greke. Unë nuk dua që ne të flasim vetëm për shlyerjen e borxhit, por përkundrazi për sfidat e përbashkëta siç është zhvillimi ekonomik”.

Kryeministri Mitsotakis gjithashtu ftoi biznesmenët gjermanë të investojnë në Greqi.

Ai është kryeministri i 5 grek që takohet me kancelaren Merkel gjatë viteve të krizës greke.