Shqipëria ”rruga e artë”, Frontex: Në 7 muaj kaluan 5800 refugjatë

Jo vetëm shqiptarët e shohim Europën si vend për të jetuar por edhe refugjatët, e shohim Shqipërinë si rrugën e ”artë” për kalimin drejt vendeve të BE-së. Sipas një raporti të fundit, mësohet se ka rritje të numrit të kalimeve të paligjshme në vendin tonë. Sipas Agjencisë Europiane për Kufijtë Tokësore dhe Bregdetarë (Frontex), vetëm në muajin korrik, në vend kanë hyrë 460 emigrantë të paligjshëm. Ndërsa vetëm 7 muajt e parë të këtij viti, në vend janë regjistruar afro 5800 emigrantë, dyfishi i shifrës nga një vit më parë.

Sipas të dhënave të fundit të përpiluara nga Frontex, pjesën më të madhe të emigrantëve të paligjshëm e përbëjnë shtetasit nga Afganistani dhe Irani. Në raportin e Agjencisë Europiane për Kufijtë Tokësore dhe Bregdetarë, rruga paralele që kalon nga Shqipëria në Mali të Zi dhe Bosnje Hercegovinë ka parë rritje të fluksit migrator, të dyfishuar krahasuar me një vit më parë.

Prej 22 majit, shërbimet e Frontex-it janë vendosur në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Salla e komandimit përbëhet nga 6 oficerë të Frontex dhe 1 shqiptar, që kontrollojnë të gjitha lëvizjet që ndodhin në pikën e kalimit kufitar. Ndërsa i gjithë kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë monitorohet nga 50 oficerë të misionit. Shqipëria është vendi i parë jashtë Bashkimit Europian që bashkëpunon me Frontex, për patrullimin dhe ruajtjen e kufijve. Edhe në Europë numri i emigrantëve të paligjshëm arriti në 10 mijë e 500, duke u rritur me 4 % krahasuar me muajin qershor. Në përgjithësi, totali për shtatë muajt e parë të 2019 arriti në rreth 54, 300 emigrantë. Edhe numri i mbërritjeve në ishujt Grekë në Egje u rrit me një 25%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku shumica e emigrantëve ishin nga Afganistani.

Vendi që mban numrin më të lartë për kapjen e emigrantëve të paligjshëm është Korça, qytet ky i përdorur më së shumti si rrugë tranziti për ta. “Kufiri i gjelbër, i cili është më i “frekuentuar” nga emigrantët të cilët tentojnë për të hyrë në Republikën e Shqipërisë është Korça. Atje është edhe numri më i shtuar i të kapurve që është bërë nga ana e Frontex-it dhe punonjësve të Policisë Kufitare, rreth 1300 shtetas”,-ka thënë më herët, Drejtori për Kufirin dhe Migracionin, Eduart Merkaj.

Drejtori për Kufirin dhe Migracionin, tregon edhe arritjet më të mëdha që ka sjellë bashkëpunimi me Frontex. “Është rritur në mënyrë të ndjeshme kapja e shtetasve, e emigrantëve që vijnë nga vendet në konflikt, si Siria, Iraku dhe Pakistanezët, është rritur me 250% kapja e këtyre shtetasve në vijën kufitare. Pozivitet tjetër është se jo vetëm emigrantët, por edhe veprat penale të cilat janë evidentuar gjatë kësaj periudhe për kufirin e gjelbër janë positive, siç është rasti i Gjirokastrë, ku persona të ndryshëm kanë tentuar të sjellin mjete motorrike të vjedhura nga Greqia”.