Real Madrid “qan” dëmtimet, Isco e çon në 7-të listën e gjatë

Real Madrid vazhdon të humbasë elementë të rëndësishëm në prag të sezonit të ri. Infermieria është e mbushur me shumë futbollistë si: Hazard, Asensio, James, Brahim dhe Rodrygo, ndërkohë që së fundmi u është bashkuar edhe Isco.

 

Fantazisti spanjoll sipas klubit iberik ka pësuar një dëmtim në bicepsin femural të këmbës së djathtë. Nuk janë dhënë ende të dhëna për kohën e rikuperimit, por me siguri që ai do të kthehet në fushë pas ndeshjeve të kombëtareve.

Një mallkim që duket se ka përfshirë skuadrën e Zidane, që duhet të bëjë pa 7 futbollistë, vetëm në dy muaj që ka filluar përgatitjet për sezonin e ri. I pari që u dëmtua ishte Brahim, i cili duhet të qëndrojë 32 ditë jashtë fushave.

Turi i dëmtimeve vijoi me Mendy, i cili duhet të qëndrojë 25 ditë pa zbritur në fushë. Në dy javët e fundit, situata sa vjen dhe bëhet edhe më e vështirë, duke parë ndalesën e lojtarëve me shumë peshë si Rodrygo, Hazard, James. Kolumbiani u bë protagonist në sfidën e fundit, por ishte i pafatë. /R.Lika-Koha Jone/