Aurel Thëllimi, ky “shpirt fukara” që rend pas së bukurës

Këngëtari i njohur sapo ka prezantuar këngën e radhës të titulluar “Shpirt fukara”, një baladë, e cila duket se, që në start ka rrokur simpatinë e publikut

 

Intervistoi: Albina Gjergji
Aurel Thëllimi është një artist mjaft i talentuar që profesionin e pasionin e ka të lidhur ngushtë me skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Por ky fakt nuk e ka penguar aspak atë që dashurinë për muzikën ta zgjerojë në zhanre dhe në skena të tjera, siç janë për shembull koncertet dhe mbrëmjet e ndryshme muzikore. Së fundmi, ai ka prezantuar këngën e radhës të titulluar “Shpirt fukara”, një baladë, e cila duket se, që në start ka rrokur simpatinë e publikut. I karakterizuar nga një thjeshtësi që artistin e bën edhe më fisnik, Thëllimi për gazetën “Koha Jonë” tregon pritshmëritë e saj, si dhe arsyen pse ndryshe nga kolegët zgjodhi ta publikonte në fund të verës e jo në fillim të saj. Ndër të tjera, në bisedën e mëposhtme, ai na flet edhe për bashkëpunimet, këndvështrimet mbi duetet, ripërpunimet e këngëve, si dhe duke kaluar pak në aspektin privat nuk lë pa cekur edhe raportin me kolegët, dashurinë dhe… martesën.

Aurel, sapo keni prezantuar këngën e radhës në tregun muzikor me titull “Shpirt fukara”. Si ka rezultuar deri më tani?
Po, ka vetëm disa ditë dhe jam shumë i kënaqur që kjo këngë është pëlqyer nga audienca pa limit moshe.

Pse zgjodhët pikërisht fundin e verës, ndërkohë që kolegët zakonisht synojnë fillimet e saj për ta lançuar?
Ishte e paplanifikuar në fakt. Ishte një ndjesi e momentit që bëri të dilte kjo këngë dhe mendoj se pak rëndësi ka sezoni i prezantimit, sesa ka rëndësi cilësia e saj. Gjërat e bukura nuk kane stinë.

Bashkëpunëtorët, kë përzgjodhët për këtë prodhim dhe ku është realizuar videoklipi?
Studio “De Vox”, me të cilën nuk është bashkëpunimi i parë që bëj, pasi kam disa këngë. Jam shumë i kënaqur dhe i falenderoj, sepse e kemi bërë këngën në një periudhë të shkurtër. Gjithashtu falenderoj edhe kompaninë “Fourfinite” për videon, sepse kanë bërë një punë të thjeshtë dhe cilësore për kohën që unë ju lashë dispozicion.

Cfarë mendoni se e veçon nga këngët e tjera këtë të radhës?
Unë nuk e veçoj nga të tjerat. është emocioni i radhës i imi, sepse tek çdo këngë ka pjesë shpirtërore nga unë.

Sipas këndvështrimit tuaj, që një këngë të sigurojë suksesin në treg, i duhet dhënë prioritet më shumë vokalit, apo bashkëpunëtorëve të saj?
Bashkëpunetorët janë të rëndësishëm për çdo artist, por që kënga të rezultojë e suksesshme janë të gjithë komponentët që ndikojnë; tekst, muzike, këngëtar.

Keni prezantuar disa këngë deri më tani dhe të gjitha kanë rezultuar të vlerësuara nga publiku. Por, për ju cila mbetet më e dashura?
“Të dua ty” është kënga që veçoj, pasi ka vlera shumë si melodi, tekst dhe teknikë vokale. çdo gjë është shkrirë në mënyren e duhur që dhe sot e shijoj duke menduar që s’do të ndryshoja asgjë tek ky material.

Jeni ndër këngëtarët më të kërkuar të muzikës shqiptare. Veçanërisht, çfarë mendoni se e bën të suksesshëm një këngëtar Aurel?
Për hir të së vëertetës kam patur fatin të këndoj në skena të mëdha dhe në gëzime familjare. Suksesi ka ardhur me kohën në bazë të punës që kam bërë. Domethënë, një punë e mirë, me cilësi bën që artisti të ngrihet në karrierë. Them kështu, sepse muzika live do vërtetë formim dhe teknikë. Jo vetëm talent.

“Remake” e këngëve të vjetra popullore shqiptare, apo edhe tallavaja e përzierë me rryma të tjera moderne, a është një truk i artistëve për të rrokur sa më shumë klikime? Si e gjykoni këtë tendencë dhe a funksionon e drejta e autorit në këtë rast?
Arti është shije, nuk paragjykoj asnjë rrymë muzikore, pasi e shikoj si biznes dhe argëtim. Për shembull muzika që dëgjoj unë është e papërcaktuar. Ka shumë këngë në stile të ndryshme që i dëgjoj dhe i shijoj. S’ka asgjë të keqe të bësh këngë që të rrisësh audiencën, domethënë për klikime. Përsa i përket rifreskimit të muzikës popullore në kohën e sotme esehtë një mënyrë që artistët duhet ta bëjnë, sepse ka vërtetë materiale që kanë ardhë bukur me ndërthurjen e rrymave bashkëkohore dhe unë e kam një bashkëpunim të tillë, “Tumankuqen”, një nga këngët më të bukura çame me një rreper, KMC. Mua më ftuan në këtë projekt dhe rezultoi sukses. Pra, ishte e pamenduar nga unë, ishte diçka krejt spontane. E zgjata pak për të treguar që jo çdo gjë është strategji. Ndërsa e drejta e autorit është një pikë që do e shmang si përgjigje, pasi nuk e di a do jenë në prioritetet qeveritare ndonjëherë percaktimet ligjore për artin në Shqipëri.

Ju jeni një artist që profesionin e pasionin e keni të lidhur ngushtë me skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Në fakt, si është të zbresësh nga ajo skenë gjigante për të kënduar në ato të një tjetër dimensioni Aurel, (siç janë skenat e koncerteve, apo mbrëmjet në ambiente të mbyllura)?
Të dyja kanë emocionin e vet. është një përgjegjësi shumë e madhe Opera, pasi bën një punë që gjithë kohën je nën gjykimin profesional dhe cilësor. Por, edhe muzika live do të njëjtin përkushtim, pasi je më afër publikut dhe mund të penalizohesh, sepse sot njerëzit janë kritikë shumë të mirë në përcaktimin e cilësisë.

Na flisni pak për duetet, përvojat tuaja me to dhe me kë do të donit të realizonit një duet? Pse?
Kam patur shumë bashkëpunime në duet dhe kanë rezultuar sukses. Ato kanë një vlerë shumë të veçantë, sepse duhet të përshtatet vokali me partneret për të dalë ashtu siç duhet. Domethënë, ka parametra të caktuar dhe bashkëpunimi që të jetë i suksesshëm nuk është kaq i thjeshtë, por me shpirt do të doja një bashkëpunim me Aurela Gaçen. Pse jo, një duet Aurela dhe Aureli?!

Raporti juaj me kolegët dhe kë konsideroni mikun tuaj më të mirë në muzikë?
Mendoj që kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë artistët që njoh dhe që nuk janë pak. Nuk mund të veçoj asnjë, sepse nuk dua t’u ngelet hatri. Por janë disa që i kam shumë miq (qesh).

Cfarë është dashuria për një njeri e artist si Aureli?
Dashuria është ndjenja që më bën të jetoj çdo ditë i mbushur me emocione. Dashuria, jo vetëm mua, por çdo njeri e bën ta shikojë jetën me syrin e shpirtit, jo vetëm me vështrimin e syve.

Po martesa? Cfarë e bën atë të suksesshme sipas jush?
Martesa është zgjedhje dhe fat. Suksesi qëndron tek përshtatshmëria e mendimeve. Duhet patur parasysh që në martesë nuk mendon vetëm një, por janë dy persona, kështu që konsolidimi e bën martesën sukses.

Ka “armiq” martesa Aurel?
Martesa ka mendime armike dhe mendime mike. Nëqoftëse ti lejon të dominojnë mendimet armike ka dhe martesë me armiq.

A është treguar bujare jeta me ju dhe për çfarë e falenderoni Zotin më shumë?
Jeta ka peripecitë e veta që në momente të caktuara të duket sikur je ndëshkuar, por unë jam i kënaqur që kam provuar emocione si, të qenit bir, burrë, baba, vëlla dhe mik i ngushtë. Zotin e falenderoj çdo ditë për çdo gjë që më ka ofruar, pasi çdo gjë për mua ndodh për një arsye.

Projektet profesionale në vazhdim?
Profesioni im është i tillë që nuk mund të bëj plane konkrete projektesh.