Rruga e Kombit bëhet me elementët e sigurisë

Për pak ditë pritet të përfundojë puna për vendosjen e të gjithë sinjalistikës rrugore në segmentin Kukës-Morinë. Ndërhyrja është bërë në kryqëzime dhe hyrje-daljet e autostradës, e cila zgjidh problemet e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve që qarkullojnë në këtë zonë.

Problemet që ekzistonin në segmentin Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit janë futur në rrugën e zgjidhjes. Kryqëzimet dhe hyrje-daljet në autostradë po marrin dorën e fundit të punimeve. Është shtrirë gjithë infrastruktura nëntokësore e ndriçimit dhe po montohen shtyllat.

Një tjetër element është sinjalistika. Në hyrje-daljet e zonave të banuara, kjo do të bëhet përmes tabelave elektronike që janë montuar në këto zona dhe që pritet të vihen në funksion brenda një kohe të shkurtër. Pas pak ditësh përfundon plotësisht dhe dublimi në shtatë urat që do të shmang trafikun, i cili krijohej sidomos gjatë sezonit veror në këtë segment rruge.