Pishinat jashtë standardit

Një pjesë e mirë e pishinave në kryeqytet vazhdojnë të jenë jashtë standardeve të higjienës, pasi e kryejnë manualisht pastrimin e ujit.

Në një intervistë për RTV Ora, mjeku i higjienës Gimian Dokle tha se monitorimet e kryera nga Autoritetit Shëndetësor Rajonal kanë gjetur subjekte që shkelin standardet e higjienës.

Gimian Dokle: Trajtimi manual e bën lehtësisht të cenueshëm ujin kur frekuentuesit e pishinave nuk respektojnë rregullat higjieno sanitare për tu futur në basenin e ujit. Uji është përdorim i përbashkët dhe jo privat dhe këtu duhet të kesh  parasysh edhe përgjegjësinë kolektive, jo vetëm private. 

Sipas Dokles mungesa e higjienës dhe mbipopullimi në pishina sjell dhe shtimin e infeksioneve që transmetohen tek qytetarët.

Gimian Dokle: Një tregues tjetër është edhe mbi popullimi, do të thotë mos respektimi i kapaciteteve, sidomos në fundjavë. Kryesisht problemat kanë qenë te pjesa e agresivitetit të ujit, klorit dhe pH, që e bën ujin agresiv dhe kjo shkakton irritim të lëkurës. Infeksionet janë si  bakteriale dhe infeksionet që lidhen me pjesën mikorbiale. 

Mjeku i higjienës rekomandon zbatimin e rregullores së brendshme për çdo operator, që përfshin larjen në dushe para dhe pas përdorimit të pishinës për të shmangur prekjet nga infeksionet.