Në Martanesh, atje ku e mira është kult…

Nga Luan Rama:

“Martaneshi vend i mirë”, është vargu i një kënge nga më të njohurat dhe më të kënduarat e Shqipërisë së Mesme, e cila mori jetë e vibrim të veçantë në zërin shpirtëror të njërës prej këngëtareve më të dashura të këngës popullore, të paharruarës Fitnete Rexhës.

Por, jo prej këngës më shumë se sa prej njerëzve të Martaneshit dhe natyrës që si materie reflekton mirësitë e shpirtit të tyre, (kënga vetëm sa e sintetizon këtë marrëdhënie), në atë krahinë, etnografikisht unike dhe me një pasuri thelbësisht kombëtare, e mira është kult. Dhe në raport me të, pra në raport e varësi me të mirën, është e ndërtuar e gjithë bota e martaneshasve dhe marrëdhënia e tyre me të tjerët.

Por edhe me pragun e shtëpisë, me tokën, me bagëtitë, me besimin, me atdheun, me lirinë.
Sepse, për ta e mira është vetë jeta e tyre, fisnikërisht krenare, por edhe e pabujë, edhe mes varfërisë e harresës.

Por as varfëria dhe as harresa, nuk e kanë cënuar marrëdhënien e tyre me të mirën. E mbase, edhe si sfidë, martaneshasit e kanë bërë të mirën kultin e pacënueshëm të jetës së tyre, të vetmin kult të cilit ata i falen.

Për martaneshasit, e mira është tek dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin.
Sepse mjafton që të jesh nga Martaneshi e ajo është aty, përherë e pranishme si ajri, si drita, por edhe si shenjë e parë indentifikimi dhe respekti. Është në një farë mënyre, kodi i komunikimit, njëtrajtësisht i demonstruar edhe për të tjerët, pavarësisht krahinës se nga janë e bindjes apo besimit të tyre.
Eshtë edhe tek dashuria për natyrën, për jetën, për të bukurën, respekti për besimin dhe sinqeriteti i dedikimit ndaj tij.
Por e mira për të gjithë, pa përjashtim për të gjithë martaneshasit e “Martaneshit vend i mirë”, po aq madhërishëm shfaqet edhe në përkushtimin atdhetar ndaj vendit, ndaj lirisë, ku kontributet e gjakut të banorëve të asaj krahine, janë kulme krenarie në panteonin e patriotizmit shqiptar.
Prandaj Martaneshi është vend i mirë…