Conte i mbyll derën Lidhjes, PD luan kartën e Ficos. Salvini “josh” Di Maion

Çështja se cili duhet të jetë kryeministri i ardhshëm i Italisë po vështirëson negociatat mes partive “5 Yjet” dhe demokratëve opozitarë. Këta të fundit kundërshtojnë rikthimin në post të Giuseppe Conte pas dorëheqjes pak ditë më parë, dhe si pasardhës i tij po përflitet kryetari i dhomës së deputetëve, Roberto Fico. Palën kanë kohë deri të martën për të dalë me një emër konkret.

Në Itali vijojnë përpjekjet mes partisë qeveritare “Lëvizja 5 Yjet” dhe demokratëve në opozitë për të gjetur pika të përbashkëta për një koalicion të ri qeveritar.

Kryeministri i dorëhequr pak ditë më parë, Giuseppe Conte, tha të shtunën se aleanca e re do i mbyllë derën përfundimisht partisë “Lidhja” të Mateo Salvinit.

Por gjetja e një tjetër kryeqeveritari është kthyer në pikën më të debatuar të negociatave mes dy palëve.

Partia në pushtet “5 Yjet” mbështet idenë e rikthimit të Kontes në karrigen e kryeministrit, ndërsa demokratët kërkojnë shkëputjen nga ajo që ata e quajnë “e kaluara”.

Orët e fundit përflitet si figurë më e pranuar kryetari i dhomës së ulët të parlamentit italian dhe përfaqësuesi i “5 Yjeve”, Roberto Fiso.

Presidenti Sergio Mattarella u ka dhënë kohë partive deri të martën për të dalë me një emër konkret, në të kundërt vendi do të shkojë në zgjedhjet e dyta të përgjithshme brenda 1 viti e gjysmë.

Në tentativën për të shmangur daljen në opozitë nga rikthimi i papritur i demokratëve në pushtet, mësohet se zëvendëskryeministri Salvini po kërkon të mbajë gjallë koalicionin me “5 Yjet”, duke i dhënë të drejtën aleatit të tij të vjetër të propozojë kreun e ri të qeverisë.

Koalicioni mes 5 Yjeve dhe Partisë Demokratike vijon, ndërkohë që kundërshtohet nga ish-kryeministri  Silvio Berlusconi, i cili e konsideron afrimin mes dy rivalëve një ide të falimentuar të së majtës që, sikurse më parë, nuk ka për të sjellë asgjë të mirë për Italinë.