Shkarkimi i punonjësve të hipotekës, Rama: Zvarritën qytetarin prej 15 vitesh

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në facebook, ka njoftuar se janë shkarkuar nga puna disa punonjës në zyrën e Hipotekës. Ky lajm është bërë i ditur nga vetë kreu i qeverisë, i cili ka sjellë historinë e një qytetari nga Berati që prej më shumë se 15 vitesh është endur në rrugën e hipotekës.

”MIRËMËNGJES dhe me rastin e Jani Dajës, i cili duke u drejtuar në Platformën e Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, pas më shumë se 15 vite zvarritjesh mori më në fund hipotekën e shtëpisë dhe u bë shkas që kush e pengonte të largohej nga zyra e shtetit, ju uroj një fundjavë të mbarë”,-shkruan Rama në facebook.

Jani Daja, një ish-ushtarak e më pas emigrant që pasi mblodhi një shumë të caktuar parash, zgjodhi të rikthehej në vendin e tij, Berat. Ndonëse kishte marrë truallin me dokumentet e duhura, punonjësit e hipotekës e kanë zvarritur prej vitesh për të marrë legalizimin.

Daja me familjen e tij u zhvendosën para 15 vitesh nga Berati në Mëzez të Tiranës. Ata kanë trokitur derë më derë për të legalizuar pronën e tyre në hipotekë por gjithçka ka qenë e pamundur deri në momentin që vendosën të shkruajnë në shqiperiaqëduam.al. ”Kam rreth 16-17 vjet këtu, kam punuar ushtarak dhe më pas në emigracion ku me të gjitha të ardhurat bëra këtë ndërtesë. Aplikova për hipotekën dhe më sillnin probleme sikur unë kisha mbivendosje mbi tokë, ndërkohë që tokën unë e kisha marrë me dokumente dhe me tapitë e 7501”.