Reforma që po shpëton kriminelët e drogës dhe të zgjedhjeve

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Opozita reagoi ashpër së fundmi për transferimin (ose “varrosjen”) e Dosjes 184 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Rajonale të Dibrës. Kreu i opozitës Lulzim Basha akuzoiProkuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe krahun e saj të djathtë në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, për “mbulimin e një grupi të strukturuar kriminal”. Grupi në fjalë do të përfshinte rrjetin e madh të zyrtarëve të Partisë Socialiste (përfshirë kryeministrin Edi Rama), nëpunësit e administratës dhe figura të krimit të angazhuara në blerjen e votave dhe frikësimin e votuesve, siç u dëshmuan nga përgjimet e publikuara nga Zëri i Amerikës dhe Bild.

Por pikërisht ky “grup kriminal” është një nga arsyet që kjo dosje e nxehtë iu transferua për hetim Prokurorisë së Dibrës, e cila ka më pak staf dhe ekspertizë për t’u marrë me një hetim kaq të rëndësishëm dhe të gjerë. Prokuroria e Krimeve të Rënda arriti në përfindimin se të dyshuarit e përfshirë në Dosjen 184 nuk përbënin një “grup të strukturuar kriminal”. Rrjedhimisht, hetimet për këtë çështje bien jashtë kompetencave të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo duket jo e arsyeshme, pasi grupi kriminal në skemën e mësipërme duket mjaft “i strukturuar”. Përbërja e tij i përmbahet kryesisht linjave të hierarkisë politike dhe partiake të Partisë Socialiste. Çështja është se kjo duhet provuar, dhe pikërisht këtu qëndron problemi.

Për ta kuptuar më mirë këtë, duhet të kthehemi në vitin 2017. Sipas kornizës logjike të misionit EURALIUS IV, një nga objektivat e tij specifike ishte të “përafronte sistemin e drejtësisë penale shqiptare me standardet e BE-së”. Për arritjen e këtij objektivi, EURALIUS ndihmoi

“[…] Ministrinë e Drejtësisë (veçanërisht Drejtorinë e Kodifikimit) në rishikimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, në veçanti për të përfunduar punën e “Task Force” dhe të grupit të punës për Kodin e Procedurës Penale gjatë dy viteve të fundit, në përputhje me Standardet e BE-së dhe Këshillit të Evropës, dhe veçanërisht në lidhje me zbatimin e reformës kushtetuese të vitit 2012, që kufizon imunitetin e gjyqtarëve dhe deputetëve.”

‘Rezultatet e shkëlqyera’ të EURALIUS-it në përpjekjen e tyre për të “kufizuar imunitetin e […] deputetëve” i dimë tashmë. Prandaj, le të shohim se si funksionuan në praktikë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Në dhjetor 2016, Parlamenti miratoi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale me votat e koalicionit qeverisës të atëhershëm midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Partia Demokratike votoi kundër.

Këto ndryshime prekën juridiksionin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila do të kthehet në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, dhe për këtë arsye ndryshuan edhe kompetencat e Prokurorisë për Krime të Rënda (dhe SPAK-ut të ardhshëm). Sipas nenit 75/a(b) të Kodit të ri të Procedurës Penale: “Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon […] çdo vepër penale [të] kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda [të] armatosur[a], sipas përcaktimeve të Kodit Penal”.

Këto katër lloje të veprave penale përcaktohen në nenin 28 të Kodit Penal. Ai që është i rëndësishëm për argumentin tonë këtu është përkufizimi i “grupit të strukturuar kriminal”: “Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale. Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të zhvilluar”. Ajo që ndodhi në rastin e dosjes 184 është se Prokurori i Krimeve të Rënda në ngarkim të dosjes (njëkohësisht edhe kandidat për në SPAK), Klodian Braho, e ndryshoi i vetëm akuzën për “grup të strukturuar kriminal” në akuzën për “bashkëpunim”, të përcaktuar si më poshtë në nenin 25 të Kodit Penal: “Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre”.

Kushdo mund ta vërejë lehtësisht se sa e thjeshtë është të mbrohet manovrimi për ta ndryshuar akuzën nga “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim”, pothuajse për çdo rast, pasi nuk ka legjislacion të qartë për dallimin e tyre. Por efekti i këtij ndryshimi të thjeshtë të akuzës penale është shumë i madh: ai justifikon heqjen e dosjes nga fusha e privilegjuar dhe e mbrojtur e SPAK-ut të ardhshëm dhe kalimin e saj te një prokurori e rrethit (të Dibrës në këtë rast), të cilat kanë më pak buxhet dhe punonjës nga sa nevojitet. Pra, këtu kemi saktësisht recetën që siguruar që politikanët dhe grupet kriminale të mos preken kurrë nga prokuroria speciale SPAK, deri në formimin e saj.

Për sa kohë që ndaj askujt nuk janë paraqitur akuza në gjykatë, çështjet në hetim mund të transferohen lehtësisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda te prokuroritë e rretheve, duke i lehtësuar akuzat (pas hetimeve disavjeçare) nga “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim”. Kjo mund të ndodhë thjesht dhe vetëm më një vendim të prokurorit të çështjes, që nuk mund të kundërshtohet dhe as të ndryshohet nga një autoritet më i lartë. Në Exit kemi paralajmëruar në shkurt 2017 për këtë problem të përkufizimeve të paqarta dhe të hapësirave në ligj, që do të dëmtojnë efektivitetin e SPAK-ut. Në vitin 2018 kemi raportuar për numrin e madh të dosjeve të trafikut të drogës që janë transferuarnga Prokuroria e Krimeve të Rënda në prokuroritë e rretheve, pasi prokurorët kanë shpallur mungesë kompetence, në të njëjtën mënyrë siç bëri prokurori Klodian Braho.

Ndoshta çështja më e rëndë ishte ajo e trafikimit të një sasie rekord kokaine prej 613 kg në vitin 2018 nga Kolumbia në Durrës. Hetimet u transferuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Durrësit, sepse, me sa duket përsëri nuk kishte “grup të strukturuar kriminal”. Dosje të shumta hetimore u vodhën më pas nga Prokuroria e Durrësit, gjë që u pasua nga ngritja në detyrë e drejtueses së kësaj prokurori Donika Prela, e cila u bë drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Këtu ajo tani po mbikëqyr “varrosjen” e Dosjes 184 të vjedhjes së votave në Dibër.

Të gjitha këto manovra kanë qenë të mundura nga dy faktorë të ndërlidhur: 1) legjislacioni i hartuar keq, që me sa duket lejon zbutjen e akuzave dhe transferimin e çështjeve nga juridiksioni i institucioneve kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar drejt juridiksionit të gjykatave të rregullta (ku është edhe sfera e ndikimit politik); 2) mospërputhja midis legjislacionit të ri dhe afateve të shkelura për krijimin e SPAK-ut, duke lejuar që dosjet të bien në mënyrë të volitshme “midis hapësirave bosh”. Me pak fat, SPAK-u do të ngrihet vetëm kur e gjithë veprimtaria e Partisë Socialiste për blerjen e votave të jetë “siguruar” te prokuroritë e rretheve, të cilat janë pa buxhetin dhe personelin e duhur, dhe të ekspozuara ndaj presionit politik nga të gjitha anët.

Burimi i artikullit EXIT.AL