Mali i Shëngjinit i shkrumbuar, ja si paraqitet situata

Zjarri që zgjati dy ditë në malin e Shëngjinit është shuar nga reshjet e shiut por ende ka vatra që vogla që mund të riaktivizohen. Në zonë ndodhen ushtria dhe forcat zjarrfikëse për të monitoruar situatën. Policia e Lezhës ka vënë në pranga dy të rinj për zjarrvënien në malin e Shëngjinit.

Gjithçka e gjelbërt në malin e Shëngjinit është shkrumbuar nga flakët. Zjarri që zgjati për dy ditë shkaktoi një dëm të madh. Një shi prej 30 minutash arriti të shuante flakët e mëdha. Pas këtij momenti autoritetet nisën të marrin frymë lirisht pasi terreni i vështirë pengonte depërtimin e tyre brenda në mal.

Gjatë ditëve me flakë u regjistruan edhe shpërthime të ndryshme predhash. Ende ka vatra të vogla zjarri që mund të riaktivizohen. Policia e Lezhës ndaloi dy të rinj si të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme që solli djegien e dhjetra hektarëve me pisha mbi zonën e portit në Shëngjin. Në terren ndodhen rreth 50 forca ushtrie, 3 zjarrfikëse dhe shërbimi pyjor për çdo situatë të mundshme.