Kosova e vogël, Majlinda Kelmendi superfuqi në xhudo

Paçka se Kosova është një shtet i vogël, ajo rezulton një superfuqi në sportin e xhudos. Është e arta Majlinda Kelmendi, kampione olimpike dhe fituese e një sërë turnesh të tjera ndërkombëtare, ajo e cila që ndriçuar dhe valvitur flamurin Kosovar në botë. Suksesi i jashtëzakonshëm i kampiones së botës nuk ka qenë i lehtë. E përshkuar nga sportistët kosovarë që për shumë kohë kanë vuajtur pasojat e represionit politik në Kosovë duke u detyruar edhe të braktisin kombëtaren e ish-Jugosllavisë siç ka ndodhur edhe me trajnerin e njohur të xhudos në Kosovë, Driton Kuka të cilin sportistë e thërrasin ndryshe edhe thjesht toni.

”Ëndrra ime u thye për arsye politike. në atë kohë të gjithë sportistët kosovarë lanë përfaqësuesen e ish Jugosllavisë dhe unë si gjithë të tjerët e bëra këtë për shkak të politikës shtypëse kundër popullit tonë. Arritëm që pas luftës të gjejmë fëmijë të dalë nga lufta në lagjet e Kosovës dhe tani pas 15 vitesh kemi në gjendje që të konkurrojmë me të gjithë botën kundër sportistëve nga Franca, Japonia apo Brazili që kanë me mijëra xhudistë”, shprehet trajneri i xhudos, Driton Kuka.

Majlinda Kelmendi tregon sesi hyri në botën e xhudos, duke pranuar se gjithçka ishte një rastësi ndërkohë që nuk harroi të njohë meritat e trajnerit Kuka për sukseset e xhudos kosovare. ”Ishte një rastësi sepse shtëpia ime ishte pranë sallës dhe ndoshta ashtu si të gjithë fëmijët në lagje unë shkova atje për t’u argëtuar. nuk dija asgjë për xhudon, por ditë pas dite fillova ta dua këtë sport gjithnjë e më shumë dhe ja ku jam. po të mos ishte Toni, Kosova nuk do të kishte fituar gjithë këto medalje, sidomos të artën olimpike. Toni është zanafilla e gjithçkaje. Falë tij Kosova fitoi medalje Olimpike dhe është pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”.

Xhudoja kosovare po vlerësohet lartë edhe federata ndërkombëtare, gjersa ka rrëmbyer vëmendjen e gjithë botës. “Judo Inside” ka publikuar një artikull përmes së cilës ka zbuluar disa shifra, në të cilat Kosova renditet në vendin e parë në botë për arritje në dekadën e fundit. Madje, sportistët e Kosovës kanë lënë prapa vendin e origjinës së xhudos, shtetin japonez. “Japonia ka fituar 65 për qind të të gjitha finaleve, që është e dyta më e larta pas Kosovës. Për dhjetë vite Kosova ka fituar 69 për qind të finaleve dhe më 2009 ishte hera e parë kur Majlinda Kelmendi fitoi për të parën herë titujt e Evropës dhe Botës për juniorë”, thuhet në shkrimin e Judo Inside. Gjeorgjia dhe Korea Jugore kanë triumfuar në 55 për qind të finaleve të pasuara nga Franca me 54 për qind. Republika Çeke, Kuba, Rusia, Brazili e Holanda, secila ka nga 50 për qind të fitoreve.