Kategoria Superiore, sot 4 përballje të tjera

Sot do të luhen edhe 4 ndeshjet e tjera të Kategorisë Superiore. Sfida nis në orën 16:00 me sfidën mes Vllaznisë e Lacit. Skuadra shkodrane është rikthyer në elitën e futbollit shqiptar pas 1 viti dhe kanë bërë disa ndryshime në skuadër por përballë do të ketë një ekip si Laci që ka në stol një emër si Sulejman Starova.

Tre ndeshjet e tjera do të luhen në orën 19:00 ku padyshim spikat sfida mes Skënderbeut dhe Flamurtarit dy skuadra që deri pak vite më parë kanë rivalizuar fort për titull në kampionat. Skënderbeu duket se ka humbur jo pak nga shkëlqimi i tij pas konfirmimit të dënimit nga ana e CAS ndërkohë që në stol është kthyer trajneri Ilir Daja. Nga ana tjetër Flamurtari ka bërë një sërë lëvizjesh në merkaton e transferimeve duke afruar shumë lojtarë të rinj.

Në Selman Stërmasi, Tirana do të presë Luftëtarin. Bardheblutë kanë afruar një sërë lojtarësh me emër të kampionatit shqiptar dhe tifozët tashmë presin shumë prej tyre për këtë sezon të ri futbollistik. Nga ana e saj skuadra gjirokastrite vjen me një ndryshim në pankinë, pasi do të jetë Klodian Duro ai që do të drejtojë atë në këtë përballje me Tiranën. Ndeshja tjetër që do të luhet në orën 19:00 do të jetë ajo e Niko Dovanës në Durrës mes Teutës dhe Bylisit.