Juventus mund me “gardën e vjetër” Parmën, vendos Chiellini (VIDEO)

Juventus e ka nisur me një fitore minimale 1-0 sezonin e ri në Seria A nda Parmës. Pa trajnerin Sarri në pankinë për shkak të një problemi shëndetësor, bardhezinjtë nuk hodhën në fushë nga minuta e parë asnjë prej blerjeve të verës, duke u besuar futbollistëve që kanë kontribuar në disa tituj kampionë.

Sfida nisi mirë për Juventusin, teksa rezultati u zhbllokua në minutën e 21-të, kur kapiteni Giorgio Chiellini shënoi pas një krosimi të mbrojtësit brazilian Alex Sandro. Pak minuta më vonë, topin në rrjetë e dërgoi edhe Cristiano Ronaldo, por goli u anulua për një pozicion të dyshimtë jashtë loje.

Pas vuajtjeve në pjesën e parë, Parma ndryshoi në pjesën e dytë dhe veçanërisht në 15-20 minutat e fundit të takimit ishte vërtetë e rrezikshme, duke i shkuar pranë golit të barazimit, por pa ia dalë të dërgojë topin në rrjetën e Szczesnyt.