Florante dhe Laura, një histori dashurie mes Filipineve dhe Shqipërisë

Nga Bledar Kurti

Me të arrirë në Manila ndien ajrin e ngrohtë dhe klimën tropikale. Nga gjuha Tagalog mund të të zërë veshi ndonjë fjalë në spanjisht e ndonjë tjetër në anglisht si rrjedhojë e viteve të gjata si nën pushtimin spanjoll ashtu edhe nën juridiksionin amerikan. Fytyra të qeshura dhe sjellje me respekt. Trafik i tmerrshëm por interesant me koloritin e xhipave dhe motoçikletave. Sapo del nga rrugët kryesore sheh pemë dhe gjelbërim pa fund. Në oborrin e shtëpive gjenden arra kokosi, mango, banane, e shumë pemë tropikale që një europian nuk mund t’ia dijë emrin. Çdo shtëpi ka një dyqan. Çdo familje shet diçka. Ushqimet duken joshëse dhe kur i provon kupton se sa e pakët dhe e vakët është menyja jonë shqiptare.

Filipinet janë çlodhëse. Njerëzit janë të thjeshtë dhe pa snobizmin europian dhe sidomos atë ballkanas. Që në ditën e parë kuptova që më relaksojnë. Po përse, sepse janë larg vendlindjes? Jo, sepse nuk mund të gjeja dot as edhe një gjë të vetme që të kishte lidhje me Shqipërinë. Asgjë nuk më bënte të kujtoja qoftë edhe një detaj nga atdheu im. Mbi të gjitha askush në atë vend nuk e dinte se nga binte Shqipëria, të paktën në hartë, të paktën kështu mendoja unë. Dhe kjo gjë më jepte një paqe të papërshkrueshme.

Kjo ndjesi largësie zgjati vetëm për pak ditë sepse lidhja midis Filipineve dhe Shqipërisë ishte më e hershme se sa unë. Poema më e njohur në Filipine titullohet “Florante at Laura” (Florante dhe Laura) e poetit Francisco Baltazar (1788–1862) i cili mbahet si poeti më i madh filipinas. Titulli origjinal i kësaj poeme është “Pinagdaanang Buhay ni Florante at ni Laura sa kahariang Albania”.Që do të thotë “Historia e Florantes dhe Laurës në Mbretërinë e Shqipërisë”. Teksti më i shenjtë i letërsisë së Filipineve, i cili mësohet nga nxënësit e të gjithë shkollave në këtë vend është shkruar mbi dashurinë e dy të rinjve në Shqipëri. Nën këtë reflektim romantik sigurisht mund të thuhet që provohet thënia se dashuria kapërcen çdo kufi. Historia është mbi Dukë Florante dhe Princeshën Laura të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës midis shqiptarëve të krishterë dhe otomanëve.

Historia nis me një pyll të errët dhe të trishtë. Florante është i lidhur në një pemë dhe po lëngon për vdekjen e të atit, Dukë Briseo. Ai po çmendet duke menduar se e dashura e tij, Princeshë Laura ka rënë rob në duart e armikut të tij, Kont Adolfo. Përreth tij janë dy luanë të uritur që janë gati për ta sulmuar Florante. Por, ai shpëtohet nga Aladini, një princ mysliman që po kalonte në atë pyll. Si fillim Florante e konsideronte armik Aladinin për shkak të besimit të tij mysliman, por më pas i tregon historinë e tij.

Florante ishte i biri i një princeshe dhe një këshilltar mbretëror. Ai ishte rritur i lumtur, dhe i rrethuar me dashuri. Në moshën 11-vjeçare prindërit e tij, Duka Briseo dhe Princesha Floreska, e dërguan atë në Athinë për të studiuar nën Antenorin, një mësues i njohur. Atje, ai u takua me Adolfo, një bashkatdhetar. Ata të dy ishin nxënësit më të zgjuar në shkollën e tyre. Pas gjashtë viteve të studimit, Florante e tejkaloi Adolfon me aftësi, talentet dhe inteligjencë, duke fituar kështu popullaritet te të gjithë.

Gjatë një loje në shkollë, Adolfo tentoi të vrasë Floranten. Për fat të mirë, miku Florantes, Menandro, ndërhyri dhe e shpëtoi. Pas përpjekjes së tij të dështuar, Adolfo kthehet në Shqipëri. Një vit më vonë, Florante mori një letër nga babai i tij, në të cilën e njoftonte për vdekjen e nënës së tij.

Pas mbërritjes së tij në Shqipëri, Florante u ftua në pallatin e mbretit. Atje, ai mbeti i mahnitur nga sytë e Laurës, bijës së Mbretit Linseo, sundimtar i Shqipërisë.

Florante u nis për në luftë kundër persëve ku qëndroi për 5 muaj para se të kthehej në Shqipëri për të parë Laurën. Kur u kthye, u befasua kur pa flamurin pers të valëvitej mbi kështjellën e mbretërisë. Ai e çliroi pallatin dhe shpëtoi të atin, mbretin dhe Adolfon. Ai gjithashtu shpëtoi edhe Laurën nga duart e një Emiri i cili ishte bërë gati për t’i prerë kokën. Ai u shpall “mbrojtës i Shqipërisë” për trimërinë e tij, duke nxitur kështu zilinë dhe urrejtjen e Adolfos.

Florante e mbrojti mbretërinë e Shqipërisë edhe një herë tjetër nga forcat turke. Gjatë kthimit nga beteja, atij i zunë pritë 30.000 ushtarë nën urdhrat e Adolfos dhe u burgos për 18 ditë. Atje, ai mësoi për fatin tragjik të babait të tij dhe mbretit të cilëve Adolfo u kishte prerë kokat. Florante u dëbua në pyll dhe u lidh në një pemë me luanët.

Pasi dëgjoi historinë e Florantes edhe Aladini tregoi historinë e tij të ngjashme. Sulltan Ali-Adab kishte akuzuar djalin e tij, Aladinin, për humbjen e betejave dhe kishte dhënë urdhër që t’i pritej koka. Flerida, e dashuruar me Aladin, iu lut sulltanit që të mos ta vriste, por thjesht ta çonte në mërgim djali e tij. Si këmbim, Flerida do të martohej me Sulltanin, i cili ishte i marrosur pas saj.

Aladini e ndërpreu tregimin e tij pasi në pyll u dëgjuan zërat e dy femrave. Ishin Flerida dhe Laura. Në kërkim të dashurisë së saj, Flerida e kishte lënë Sulltanin dhe ishte vënë në kërkim të Aladinit, në pyll kishte parë Adolfon që po dhunonte Laurën, e cila po kërkonte ndihmë. Flerida e vret me shigjetë Adolfon dhe të dyja bashkohen me të dashurit e tyre.

Florante dhe Laura u kthyen në Shqipëri ku u bënë mbret dhe mbretëreshë. Ndërsa Aladini dhe Flerida u kthyen në Persi, ku Aladini u bë sulltani i ri. Të dy mbretëritë jetuan në harmoni dhe paqe.

Kjo poemë është e vetmja në historinë e letërsisë filipinase, e cila nuk ka pushuar së botuari në edicione të reja dhe në shumë gjuhë të botës. Ajo është shkruar teksa Baltazar ishte i burgosur në burgun e Manilës rreth viteve 1835 – 1836, dhe u botua në vitin 1838 pas lirimit të tij. Ai, sikurse Florante ishte i dashuruar, por përfundoi në burg me akuza të rreme nga një rival i tij i pasur dhe me shumë pushtet.

Florante dhe Laura është një histori dashurie por edhe një simbol patriotizmi për Filipinet, të cilët ashtu si Shqipëria kërkonte çlirim nga pushtuesit otomanë, edhe ata në atë kohë kërkonin lirinë nga sundimi i kolonizatorëve spanjollë.

Që në ditët e para në Filipine m’u bë e njohur kjo lidhje me Shqipërinë ndaj nisa ta lexoja menjëherë. Ndonëse ngjarjet zhvilloheshin në Shqipëri, kjo histori e bukur, romantike, por paksa e pabesueshme me luanë në një vend ballkanik, përsëri nuk më afronte me vendin tim.

Por, ndër rreshtat e shumtë lexova: “Lamtumirë, Shqipëri, një vend i kalbur nga mëkati, tradhtia dhe urrejtja”. Dhe “Kanë shkuar ditët e paqes dhe drejtësisë. Të pafajshmit kanë rënë viktimë e atyre të etur për pushtet dhe para. Ata që kanë luftuar për ta shpëtuar vendin po vuajnë pa masë”.

Dhe, si mos të më kujtohej Shqipëria ime, që edhe në poemat më të largëta të globit përmendet si vendi i kalbur prej mëkatit dhe i drejtuar nga të eturit për pushtet dhe para. Si të mos më kujtohej atdheu ynë që heronj konsideron ata që nuk luftojnë por dredhojnë, dhe jo ata që i rreh zemra për të apo ata që e zhvatin atë.

I prekur paksa nga surpriza e kësaj poeme, nën frymën e romanticizmit dhe kombëtarizmit, u ndjeva disi krenar dhe patriot, teksa vizitova në Laguna monumentin e heroit kombëtar dhe mjeshtrit të penës së Filipineve, Jose Rizal, në të cilin ishte shkruar: “Ne vdesim vetëm një herë, dhe nëse nuk vdesim siç duhet, humbasim një mundësi e cila nuk do na jepet më. Nëse dikush vdes, të paktën le të vdesë në vendin e tij, nga vendi i tij dhe për vendin e tij”.

Shqipëria jonë ka shkelmuar dhe vazhdon të shkelmojë me miliona bij e bija jashtë gjirit të saj, megjithatë, duke lënë mënjanë etjen për pushtet që e karakterizon këtë vend dhe trishtimin e atyre që ju desh të iknin prej saj, ajo ka frymëzuar shumë shqiptarë dhe të huaj me bukurinë dhe misteret e saj. Ne vdesim vetëm një herë, ndaj të paktën le të vdesim në vendin tonë, dhe për vendin tonë, Shqipërinë.

Atdhedashuria tashmë ka mbetur vetëm një koncept i shkuar pasi në botën e sotme moderne materialiste dhe me brezin e ri të teknologjisë dhe makiatos atdheu duket se lidhet vetëm me ambiciet virtuale dhe me ata që na qeverisin dhe kuptohet përse askush nuk do e jepte më jetën për vendin e tij. Por Shqipëria jonë është e bukur dhe frymëzuese edhe përtej kontinenteve, dhe a ka ndjenjë tjetër më fisnike në botë sesa të luftosh për vendin tënd e të duash atdheun tënd, ashtu siç kanë bërë etërit dhe brezat e mëparshëm?

“Ne vdesim vetëm një herë, dhe nëse nuk vdesim siç duhet, humbasim një mundësi e cila nuk do na jepet më. Nëse dikush vdes, të paktën le të vdesë në vendin e tij, nga vendi i tij dhe për vendin e tij,” tha Jose Rizal, ndërsa poeti ynë i madh Naim Frashëri shkroi kështu: “Shqipëri, o jetëgjatë, ty të kemi mëmë e atë dhe për ty do të luftojmë gjersa të të trashëgojmë. Për ty të gjithë, ditë dhe natë, mendohemi gjerë e gjatë, ti kurrë s’prishesh, s’shkretohesh, as drobitesh, as rrëgjohesh, më ke gjithë bukuritë e të tëra mirësitë, ke fusha me lule shumë, lumenj të mëdhenj pa gjumë, male të lart’ e të veshura, buzën e detit të qeshur. Më je dritëz në dritë me të gjitha mirësitë. Shqipëri, të qofsha falë, të kam mëmë e më ke djalë.”