Sherr për guroret e Tomorrit

Ka degjeneruar në sherr dhe debate të ashpra dëgjesa publike mes pronarëve të firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në malin e Tomorrit dhe përfaqësuesve të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Ministrisë së Mjedisit.

Vendi i zgjedhur për takimin, fshati Kapinovë si dhe pjesëmarrja e punonjësve të Bashkisë së Poliçanit u bë shkak që dëgjesa të kthehej për pak në një përplasje fizike, ndërsa nuk munguan akuzat e ndërsjellta mes të pranishmëve.

Pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila rrëzoi qeverinë për shpalljen e malit të Tomorrit, Park Kombëtar, si palë fituese pronarët e vlerësuan si të pakuptimtë dëgjesën duke kërkuar rifillimin e mënjehershëm të punës në zonën e Novajt.

Për drejtorin e Agjencisë për Zonat e Mbrojtura Zamir Dedei vendimi i gjykatës po shqyrtohet nga specialistët dhe për sa kohë institucioni që ai drejton ka kërkuar rishikim të vendimit puna nuk do të fillojë. Kreu i Agjencisë për Zonat e Mbrojtura hodhi poshtë pretendimet e palëve se qeveria po mbron një palë të tretë në këtë proces. /TCH/