Saranda, qytet i turistëve

Saranda po njeh kulmin e sezonit turistik këto ditë te fundit te gushtit. Turistët flasin për kosto normale të shërbimeve në qytet, e ndërsa për vendasit nuk është e njëjta, sipas tyre Saranda ka kosto shumë të larta jetese, shërbimet ofrohen me çmime turistike.

Max ka qenë për disa ditë në Sarandë dhe është duke larguar prej portit të Sarandës. ”Çdo gjë ishte shumë mirë, njerëzit, çmimet, mikpritja. Çmimet janë fare të lira krahasuar me Holandën dhe shumë më të lira se në Korfuz. E vetmja gjë që vura re ishte se ushqimi ishte i mirë por gjithandej i njëjti ushqim. Nuk gjeje oferta për shije të ndryshme”, u shpreh një turist nga Holanda.

Një çift italian që e viziton Shqipërinë për herë të parë thonë se çdo gjë ishte normale në Sarandë. “Ne erdhëm për të pushuar dhe na pëlqeu. Çmimet ishin të leverdishme dhe shumë më të lira se vendet fqinje. Çdo gjë qetë. Asgjë nuk na shqetësoi”, deklaroi një çift nga Italia.