Ruçi uron Ditën e Pelegrinëve: Të mësojmë të gjithë nga kjo pasuri!

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përshëndet besimtarët bektashinj në ditët e pelegrinazhit të tyre në Malin e Tomorrit. Në mesazhin e tij, Ruçi shkruan se “Mali i Tomorrit është monarku shpirtëror që ka bashkuar, bashkon e do të bashkojë shqiptarët, në dashurinë dhe mundimet e tyre për njeri-tjetrin dhe Shqipërinë”.

Sipas kryeparlamentarit, këto ditë do na rikujtojnë se atdheu dhe toleranca janë kryevlerat e legacisë dhe institutit shpirtëror të bektashinjve, ndërsa ju bën thirrje të gjithë shqiptarëve e politikanëve të mësojnë nga kjo pasuri fetare, njerëzore e kombëtare.

“U dërgoj përshëndetjet e mia më të ngrohta qindra-mijra besimtarëve bektashinj që janë ngjitur këto ditë në Teqenë e Kulmakut, në Malin e Shenjtë të Tomorrit. Një përshëndetje të veçantë kam për pelegrinët bektashinj nga Diaspora, për sakrificën e tyre sipërore për tiu bashkuar kësaj ceremonie të shenjtë.

Mali i Tomorrit është monarku shpirtëror që ka bashkuar, bashkon e do të bashkojë shqiptarët, në dashurinë dhe mundimet e tyre për njeri-tjetrin dhe Shqipërinë.

Ceremonia në Teqenë e Kulmakut nuk është thjesht një demostrim besimi e vuajtjesh, por një festival sakrificash e besimi për një botë, njerëz e jetë më të mirë, për ta bërë Shqipërinē një vend më të mirë e të bekuar për të gjithë shqiptarët.

Këto ditë na rikujtojnë se Atdheu dhe Toleranca janë kryevlerat e legacisë dhe institutit shpirtëror të bektashinjve. Le të mësojmë dhe të vetedukohemi të gjithë nga kjo pasuri fetare, njerëzore e kombëtare”, shkruan në mesazhin e tij drejtuar pelegrinëve në Malin e Tomorrit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.