Prefekti i Lezhës: Po punojmë për t’i shuar flakët

Prefekti i Qarkut të Lezhës, Gjok Jaku ka thënë se zjarrfikësit e bashkisë së Lezhës janë vënë në gatishmëri për të shuar flakët, megjithatë e kanë patur shumë të vështirë të hyjnë në tre vatrat e zjarrit të aktivizuara.

Më pas Jaku ka deklaruar se forcat zjarrfikëse, policia dhe punonjës të prefekturës kanë punuar gjatë gjithë natës me mjete rrethanore për të shuar flakët por megjithatë zjarri është përhapur deri në varrezat publike të zonës. Ndërkohë Jaku bën me dije se në ndihmë po vijnë zjarrfikëse të tjera nga Lezha, Mati dhe Mirdita.

“Prej natës ka patur tre vatra zjarri. Jemi gjetur në vendin e ngjarjes, zjarrfikësit dhe policia dhe punonjës të prefekturës, rreth 30 veta, me tre mjete zjarrfikëse, kemi punuar gjatë të gjithë natës. Zjarrin e favorizonte terreni i vështirë dhe era e fortë. Kanë gjithë natën me mjete rrethanore për ta mbajtur nën kontroll flakët. Jemi angazhuar me lopata, degë, fshesa, se në atë lloji terreni dhe natën kemi ndërhyrë. Era ka bërë që zjarri të përparojë tek varrezat publike, zjarri vazhdon të përparojë. Momentalisht janë 4 zjarrfikës, efektive ushtrisë, nga Lezha vijnë tre zjarrfikëse, nga Burreli nga Mirdita. Në këto momente mjete zjarrfikëse janë pranë banesave, por kurora është në rrezik”