Mema me ide të qarta: Me një fillim agresivë, mund të arrihet te titulli

Tirana do të nisë nesër në mbrëmje sezonin e ri me duelin ndaj skuadrës së Luftëtarit në stadiumin “Selman Stërmasi”. Trajneri i bardhebluve Ardian Mema doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli për merkaton, rivalitetin dhe synimet e skuadrës për sezonin e ri.

 

“Duhet të fillojmë një kampionat agresiv, në pjesën e parë të kampionatit. Po ta shohësh, ekipet që kanë qenë agresive që në fillim, kanë shkuar edhe drejt titullit. Do i marrim ndeshjet hap pas hapi dhe do shohim ecurinë e ekipit. E rëndësishme është që të kemi një fillim të mbarë dhe jo si ka ndodhur në vitet e kaluara. Duke bërë një analizë të viteve kaluara, duhet të shohësh edhe ecurinë tënde, pritshmëritë që i kanë të gjithë. Shpresojmë dhe besojmë te ekipi, që do bëjmë hapa pozitivë.

Për mua rëndësi kanë 3 pikët. Me çdo skuadër 3 pikët janë të vlefshme, si me Partizanin, Kukësin, Durrësin apo ndonjë tjetër, në fund fitohen 3 pikë. Kjo na intereson, jo se si janë përgatitur ekipet e tjera apo se çfarë problemesh kanë pasur. Shpresoj që në ekip të vijnë lojtarë me cilësi, ato do bëjnë edhe diferencën si dhe për konkurrencën e ndershme. Do jetë pjesa ime, për të vendosur se kush do jetë i gatshëm për të luajtur në formacion.

Do jetë një kampionat i gjatë, është herët për të folur se cilin ekip do kemi konkurrent. Do e shohim rrugës ecurinë e tyre, por duhet të shohim në radhë të parë ecurinë tonë. Do jemi me këmbë në tokë, të shohim veten njëherë, pastaj kundërshtarët”, deklaroi Mema.