Greqi-Francë: Solidaritet për emigrantët

Kriza e emigracionit që ka mbërthyer Europën vitet e fundit kërkon solidarësinë e të gjitha vendeve anëtare. Presidenti francez Emanuel Makron dhe kryeministri grek Qirjakos Micotaqis, ndanë këtë mesazh në takimin e parë mes tyre në Paris.

Greqia dhe Franca kërkojnë më shumë solidaritet nga shtetet europiane për krizën e emigrantëve.

Kreu i ekzekutivit grek, Qirjakos Micotaqis u takua të enjten me presidentin francez, Emanuel Makron, në Paris.

Shefi i Elizesë vlerësoi përkushtimin e autoriteteve greke për emigrantët, por edhe ngarkesat ekonomike dhe sociale që vendi është dashur të kalojë.

Ndaj ai apeloi 28 aleatët në BE të ndajnë përgjegjësitë.

Macron: “Europa vuan nga një mungesë e theksuar solidariteti. Disa vende vazhdojnë të marrin vendime të papranueshme për temën e emigracionit dhe të mos i trajtojnë si duhet rastet me të cilat përballen.”

Kritikat e Makron shigjetonin indirekt Italinë dhe incidentin e fundit, kur mbi 100 emigrantëve në një anije humanitare spanjolle për tri javë rresht iu ndalua zbarkimi në portet italiane.

Qëndrimet e tij u mbështetën nga kryeministri Micotaqis.

Mitsotakis: “Bashkohem plotësisht me fjalët tuaja, zoti Makron, se na duhet të flasim për një Europë që i mbron qytetarët e vet, që monitoron kufijtë dhe bashkëpunon për temën e emigracionit. Por kjo barrë nuk u duhet lënë vetëm vendeve në kufijtë e Europës.”

Takimin e tij në Elize, kryeqeveritari grek e shfrytëzoi edhe për të ftuar biznesin francez të investojë në Greqi, tani që pas 10 viteve në krizë, vendi sipas tij i është rikthyer trajektores pozitive ekonomike.

Dy palët shtjelluan edhe sfidat me të cilat po përballet Athina kohët e fundit, siç janë tensionet me Turqinë për kërkimet e gazit në Qipro apo zjarret në rajon, çështje për të cilat pala franceze ofroi përkrahje të plotë.