Gra që vriten, burrat shqiptarë të parët në Europë si vrasës

Jetojmë në një shoqëri, ku femra shikohet ende si një pronë dhe meshkujt nuk ngurrojnë tu marrin jetën partnereve të tyre intime. Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë në Europë. Raporti i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zbulon se edhe pse numrin më të lartë të vrasjeve të grave e ka Lituania, vendi ynë kryeson Europën për vrasjet nga bashkëshortët. Specialistët thonë se shkaku kryesor mbetet mentaliteti.

Gjithkush mund të bjerë pre e dhunës në familje por ajo çfarë duhet bërë është denoncimi në kohë. Iris Luarasi thotë se parandalimi i këtij fenomeni duhet parë te edukumi. Qendrat e këshillimit të grave janë në shërbim 24 orë për të ndihmuar ato që gjenden në situata të vështira. Fatkeqësisht, në shumicën e rasteve ndihma kërkohet kur dhuna ka arritur në nivele ekstreme.

Gratë e Durrësit raportojnë më shumë dhunë në familje gjatë vitit 2018 krahasuar me një vit më parë. Këtë vit ka rritje të kërkesave për ndihmë, për të përballuar pasojat e saj. ”Dy prindër që ndahen apo që vazhdojnë në dhunë të vazhdueshme dhe konfliktet e vazhdueshme, deri tek pasojat më të rënda për fëmijën, siç janë tentativa për vetëvrasje ose konsumimi i lëndëve të ndryshme narkotike deri në rigjenerim dhune që ata krijojnë tek marrëdhëniet që krijojnë me të tjerët, duke u bërë dhunës të ardhshëm”, shprehet një nga punonjëset e Shërbimit Social në Bashkinë e Durrësit.

Pranë policisë janë regjistruar 505 raste për Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje, ndërsa nga Gjykata janë lëshuar 414 urdhra, 192 prej të cilave për raste dhune në qytet dhe pjesa tjetër në periferinë e Durrësit dhe fshatra. Në vitin 2018 qarku i Durrësit paraqet qarkun e parë në vend për numrin e dhunës së raportuar në vend falë ndërgjegjësimit të grave.

Sipas raportit të UNODC, vrasja përfaqëson formën më ekstreme të dhunës ndaj grave. Siç tregon ky hulumtim, vrasjet e lidhura me gjininë e grave dhe vajzave mbeten një problem serioz nëpër rajone, në vendet e pasura dhe të varfra. Ndërsa shumica dërrmuese e viktimave të vrasjeve janë burra, të vrarë nga të panjohur, gratë kanë më shumë gjasa të vdesin në duart e dikujt që e njohin. Gratë e vrara nga partnerët intimë ose anëtarët e familjes përbëjnë 58 për qind të të gjitha vrasjeve femra nga viktimat e raportuara globalisht vitin e kaluar, dhe pak përparim është bërë në parandalimin e vrasjeve të tilla.