Çdo ditë, katër aksidente rrugore

Bilanc lufte kanë regjistruar aksidentet rrugore në vendin tonë. 1188 persona kanë mbetur të plagosur dhe 115 kanë humbur jetën në to në shtatë muajt e parë të vitit. Institutit i Statistikave, vëren rënie të numrit të aksidenteve rrugore gjatë korrikut mirëpo shifrat mbeten të larta. Të paktën katër aksidente rrugore ndodhin çdo ditë në vendin tonë. Kjo duke iu referuar të dhënave të fundit publikuar nga Instituti i Statistikave. 148 aksidente kanë ndodhur vetëm gjatë korrikut ku 13 persona kanë humbur jetën. Ne gati 90% të rasteve ato kanë ndodhur si pasojë së sjelljes së drejtuesit të mjetit. Ky i fundit në afro 30% të rasteve ka qenë i moshës 25 deri në 35-vjeç. Tirana është qarku me numrin më të madhe të aksidenteve gjatë këtij muaj, ndiqet nga Korça, Fieri dhe Vlora.

Shifrat mbeten të larta ndonëse INSTAT vëren rënie të numrit të aksidenteve me 10.8%, dhe të personave që kanë humbur jetën në to, pesë më pak, krahasuar me korrikun e vitit të shkuar. Ndonëse numri i njerëzve të përfshirë e që kanë mbetur të plagosur është rritur me 8.6% ashtu si dhe numri i aksidenteve shkaktuar nga drejtues në moshë të re me 15.4%. Po sipas Insitutit të Statistikave në shtatë muajt e parë të këtij viti në Shqipëri janë regjistruar 862 aksidentet rrugore në të cilat 1188 persona janë plagosur dhe 115 persona kanë humbur jetën.

Në kuadër në masave për sezonin veror, ditët e fundit në Tiranë janë evidentuar dhe proceduar 380 drejtues mjetesh, pasi janë konstatuar duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit. Puna e efektivëve të Policisë Rrugore për evidentimin, dokumentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit ka vijuar edhe këto ditë të nxehta gushti.

Nisur nga rrezikshmëria dhe numri gjithmonë në rritje i përdoruesve të celularit gjatë drejtimit të mjetit, patrullat e Policisë Rrugore, me agjentë civilë dhe të uniformuar monitorojnë me pajisje speciale sjelljen e drejtuesve të mjeteve në rrugë të ndryshme të kryeqytetit, me qëllim dokumentimin e shkeljeve por edhe procedimin administrativ të tyre, sipas përcaktimeve të nenit 171 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Në sajë të kontrolleve dhe patrullimeve të dedikuara për këtë shkelje, vetëm ditët e fundit në kryeqytet janë evidentuar dhe proceduar 380 drejtues mjetesh, pasi janë konstatuar duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit.

115 persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore gjatë shtatë muajve të parë të vitit. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se ka një ulje vjetore me rreth 10% të numrit të aksidenteve me pasojë të plagosur por vdekshmëria vijon të mbetet ndër më të lartat në rajon dhe Europë. Për ekspertin e sigurisë rrugore Artur Sulçe, kjo situatë veçanërisht më problematike gjatë sezonit veror, vjen për shkak të dobësive në planifikimin urban dhe në menaxhimin e trafikut, rëndimi i të cilit irriton përdoruesit e rrugës dhe ndikon në vendimmarrjen e gabuar të drejtuesve. “Jemi në shifra tmerrësisht alarmante, pra bashkëpunimi në grup i gjithë institucioneve që kanë lidhje me aksidentet rrugore, duhet të punojnë në një grup për të dhënë zgjidhje reale, në mënyrë që të mos transferohet problemi nga një pikë rreziku, në një tjetër por t’i jepet zgjidhje”.