Basha: Nuk e kam takuar Ramën, jam i hapur për negociata

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, i ftuar mbrëmjen e së enjtes në studion e ”Syri.net”, foli ndër të tjera edhe për zërat që mes tij dhe kryeministrit Edi Rama ka patur një takim. Këtë gjë kreu i PD-së e mohoi, ku theksoi se: ”Kjo është çmendur! Është e disata herë që më pyesni për këtë. Jo vetëm ju por edhe gazetarë të tjerë. Takimet e mia me Ramën kanë qenë gjithmonë publike. I fundit ka qenë ai për zgjidhjen e krizës në 2017-ën”.

Basha nga ana tjetër, thotë se duhet të zhvillohen njëkohësisht edhe zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme dhe se për këtë po binden edhe ndërkombëtarët. ”Aleatët tanë të NATO-s po përballen me ringjalljen në Shqipëri të praktikave që s’janë tipare as të BE, e as të SHBA. Në shtator vijojmë betejën të bindim të gjithë faktorët për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore”.

I pyetur nëse është u hapur për të nisur negociatat me mazhorancën, Basha pranoi po akuzoi kryeministrin Rama se i ka bllokuar të gjitha ofertat e ndërkombëtarëve.