Shqiptarë ne shqiptarë ata

Nga Ilir Levonja –

Si është e mundur që Kosova shkon në zgjedhje të reja, kurse shteti amë thellë e më thellë në kriza të tjera? Çfarë ka ndryshe mes mentalitet politik shqiptar në shtetin amë dhe në shtetin e dytë apo atë më të riun për shqiptarët? Çfarë ka brenda gatitjes intelektuale midis shtetarëve këtej dhe andej kufirit, një vije të cilën na i vazhdën të tjerët, por që ne po e ngjyejmë akoma më shumë me ca trarë a sportele të çuditshme? Shqiptarë ne shqiptarë ata? Shkurt dhe thjesht, pas dorëheqjes së kryeministrit Kuvendi i Kosovës sapo u shpërnda dhe vendi do shkojë në zgjedhje të parakohëshme. Kjo për faktin se numri një i qeverisë u thirr nga gjykata e Hagës.

Dorëheqja në këtë rast nuk ishte domosdo akt i detyrueshëm për vendin, por sfidë normale aq e domosdoshme për shëndetin e demokracisë. Për më tepër që Kosova nuk ishte në krizë ekonomike, kësisoj qeveria qe në rregull. Nuk ishte dhe është në krizë politike me skandale përgjimesh për vjedhje elektorale, përfshirje personash publik në afera fondesh a bashkëpunime me kartelin dhe trafikun e drogës. Nuk ishte në krizë për shkak të djegies publike të mandateve në një masë 99% nga opozita. Nuk ishte dhe nuk është në krizë institucionale qeveri, president, institucione  deri komisionerësh. E vetmja sfidë e saj qe ajo e vendosjes së një takse maksimale karshi Serbisë, e cila nuk u hoq pavarësisht trysnisë nga jashtë përfshi këtu edhe qeverinë shqiptare apo qeverinë e shtetit amë, por që nuk solli debat publik. Nuk ishte dhe nuk është as në krizë sociale. Eshtë në unison si shoqëri, nuk është e ndarë sa të ketë luksin të debatoj një tentativë për rrahje publike midis një pronari lokali dhe një pushuesi të huaj, duke harruar 100% një fatalitet publik nga ca skela me kate ku humbën jetën disa qytetarë bash në kryeqytetin e vendit etj.

Në Shqipëri debatohet për nervat e Mihalit dhe pushuesin e huaj, për fadromat që prishin me zell propogande, kur duan dhe çfarë të duan, ashtu gjoja pa e kuptuar asnjëherë se njëshat po bëjnë spastrime nga armiqtë e klasës. Dhe çfarë nuk diskutohet në Shqipëri dhe për çfarë nuk luftohet deri tek aforizma a fluturon apo jo pata e pjekur? Në Shqipëri shteti është bërë kërrmë megjithatë zgjedhjet nuk çohen nëpër mend. Demokracia kryekërrmë, por dorëheqje a zgjedhje të reja nuk ka. Çfarë na dallon pra? Çfarë na ndanë?

Kam përshtypjen ndonjëherë se edukata shtetarë vjen edhe nga koha. Dhe sipas gjasave koha jonë, koha e një shteti të rrudhur në diktaturë paska qënë më e qelbur se ajo e shqiptarëve nën diktatin e të huajve. Si me thënë se shqiptarët në Kosovën e uzurpuar nga Serbia kanë mësuar diçka nga bërja e shtetit. Kurse shqpitarët e uzurpuar nga komunistët, nga shqiptari për shqiptarin, kanë mësuar dhe janë bërë rob të një strategjie të vetme, se si të shqyejnë njëri-tjetrin.