Shqipëri që flet me vete apo Shqipëri që flet për vete!

Nga Arian Galdini –

Qëllim themelor i këtyre rradhëve është ngasja e domosdoshmërisë që të gjithë ne qytetarët shqiptarë të fillojmë të hulumtojmë brenda vetes sonë.  Të hulumtojmë për të vërtetat e mëdha. Të fillojmë të pyesim veten, më parë se të tjerët.  Të fillojmë ti përgjigjemi vetes, më parë se të tjerëve. Të mëtojmë e sfidojmë veten, më parë se të tjerët.  Të gjykojmë më pare veten, e jo të tjerët. Të përsosim më parë veten, e jo tu kërkojmë llogari të tjerëve.

Në fakt, e gjithë çështja është që ne qytetarët shqiptarë secili individualisht, e më pas të gjithë së bashku si komunitet të gjejmë vetëveten e të rigjejmë dinjitetin.  Nga Vermoshi në Konispol, nga Prishtina në Tetovë, nga Ulqini në Malësi, është e ngutshme kthesa e madhe përkah vetëhulumtimi, vetëdijësimi, vetvendosja, lirivendosja, drejtvendosja e dinjitetvendosja.

Shqiptari mbijetojs me 5 kile hekur që mbante gjithmonë me vete, me kokën e ulur dhe frikën  në palcë, me luftën në deje dhe zemëratën e ankimtarinë në shpirt e gojë, me mburracakërinë në qoshe dhe burracakërinë në sheshe, me vetanakësinë dhe vetgjyqësinë, me dyshimin dhe mosbashkëveprimin, nuk përputhet dot me kohët e reja.  Ky lloj shqiptari mbijetojs na bën të papërputhshëm me vetë qytetarinë, por edhe me demokracinë, lirinë dhe ekonominë e tregut.

Por më e keqja është se ky lloj shqiptari na bën të papërputhshëm edhe me sfidat e reja mes kombeve e sidomos me sfidat e globalizmit. Dhe ne humbasim lider pas lideri, udhëheqësi pas udhëheqësie, parti pas partie. Humbasim kohë, humbasim para, humbasim shanse, humbasim prona, humbasim punë, humbasim drejtësinë, humbasim të drejta, humbasim Kushtetutën, humbasim ligje, humbasim zgjedhjet, humbasim konkurencën publike, humbasim objektiva, humbasim ëndrra, humbasim aspirata, humbasim institucione, humbasim energji, humbasim liri, humbasim dinjitet, humbasim toka e det, humbasim Europën, humbasim jetë shqiptarësh, humbasim shqiptarë, humbasim vetveten.  Pa folur për të shkuarën e llahtarshme të diktaturës komuniste, apo për periudhat e pushtimeve, sundimeve dhe rregjimeve të huaja apo vendase, të gjata apo të shkurtra, por duke u përqendruar tek periudha e pas dhjetorit të vitit 1990, për fatin tonë të keq duket qartazi se deri më sot kemi qenë në gjendje letargjie kombëtare.

Gjatë këtyre 30 viteve, liderat dhe udhëheqësitë tona të majta e të djathta, së bashku me ushtritë e tyre administrative shtetërore apo partiake, së bashku me të gjithë arsenalin e tyre mediatik të agjipropit dhe me bizneset e tyre multimilionere ia kanë dalë për mrekulli mbanë ta arrestojnë dhe gardhëzojnë shqiptarin e varfër dhe të pamësuar.  Fillimisht shqiptari u gardhëzua brenda vetmisë dhe nevojave të tij bazike, e më pas u ri-orientua njëlloj si në kohët e diktaturës komuniste drejt rreshtimit, si rruga e vetme për mbijetesë.

Gardhet dhe pamundësitë u bënë harta e mbijetesës për çdo shqiptar, ndërkohë që zhytja në llumin sistemik, që është vjedhja apo heshtja për vjedhjen, mashtrimi apo heshtja për mashtrimin, vrasja apo heshtja për vrasjen, zaptimi apo heshtja për zaptimin, bakshishi e rryshfeti apo heshtja për bakshishin e rryshfetin, plaçkitja e shtetit dhe privatit apo heshtja për plaçkitjen e shtetit dhe privatit, padrejtësia apo heshtja për padrejtësinë, imoraliteti dhe amoraliteti apo heshtja për imoralitetin dhe amoralitetin, etj, u bënë haraçi që shqiptari i sotëm duhet të paguajë për ta bërë funksionale këtë hartë.

Me këtë lloj harte dhe me këtë lloj haraçi, mund të shkosh aty ku ka nevojë partia, por jo drejt dinjitetit. Me këtë hartë dhe këtë haraç, mund të shkosh drejt plotësimit të nevojave bazike private dhe familjare, por nuk nuk mund të shkosh drejt komunitarizimit, perëndimizimit dhe qytetarisë. Me këtë hartë dhe me këtë haraç, mund të bëhesh i pasur por jo i lirë, i fuqishëm por jo i denjë, i pushtetshëm dhe i famshëm por jo i drejtë. Përkundërazi, sido që të bëhesh, kudo që të arrish, të jesh i varfër apo i pasur, i drobitur apo i plotfuqishëm, mbetesh mbijetojsh. Mbetesh mbijetojs që çdo dekikë, çdo ditë, çdo javë që ikën, e kalon me frikë në zemër se mos ndoshta dikush më i fuqishëm, dikush më i madh, Zoti, rrethanat natyrore, politike apo gjeostrategjike, do të ti marrë të gjitha e ti do të rikthehesh sërish në hiç, asgjë, bosh.

Ndaj edhe ti bëhesh vullnetarisht mbrujtës e mbrojtës i flaktë i këtij sistemi. Ti shpreson e synon që jetëgjatësia e sistemit të shkojë deri përtej ditës kur ti do të mbyllësh sytë përgjithmonë, sepse kështu do të kesh shmangur rënien në hiç. Në fund të fundit, me këtë hartë e këtë haraç, a nuk je pjesë e filozofisë: Pas meje u bëftë kiameti…  Rëndësi ka që sa të jesh gjallë ti të mos ndodhë rënia, hiçi, boshnaja. Harron se në vdekje jemi të gjithë të barabartë. Në jetë e ndoshta në amëshim nuk kemi për të qenë kurrë të barabartë, por vdekja me siguri që është moment sublim drejtësie për të gjithë.  E megjithatë, për tiu rikthyer jetës sonë si të gjallët e  këtyre 30 viteve tranzicion përkah demokracia, lipset të themi se shqiptarin e varfër dhe të pamësuar nuk e kanë ndihmuar as Elitat e ndriçuara, mendjet e holla, apo sikurse quhen ndryshe: Zejtarët e Mendjes.

Këta të fundit, e gjejnë më të lehtë, më logjike dhe më përfituese që të shndërrohen në intelektualë organikë gramshianë që për të shtyrë ca metra më tutje gardhin që u është vënë këtyre, pranojnë me zell ti shërbejnë atyre që po gardhëzojnë, plaçkisin dhe keqpërdorin Shqipërinë dhe shqiptarët.  ‘Kur bajnë me gabue njerëzit e hollë, po gabojshin edhe trashë.’ (Anton Harapi: Andrra e Pretashit,/79)

Ndaj edhe Shqipëria dhe shqiptarët zhyten në hone të tilla psiko-sociale kur të gjithë ia dinë çmimin gjithkujt e gjithçkaje, por pakkush ia di, njeh apo konsideron vlerën.  Ndonëse nuk na vyen të njëmendësohemi me mendimin e shumëpërmendur se çdo popull ka udhëheqësitë që meriton, atëherë si mundemi ta shpjegojmë paradoksin kur kemi mbetur ende me drejtues politikë analogë në kohët e dixhitalit dhe High Definition? Thënë gjithçka sa më sipër, vërejmë se gjithmonë kemi pasur një Shqipëri që flet me vete.

Gjithmonë kemi pasur dhe ende kemi një Shqipëri qytetarësh që nuk flasin dot me Udhëheqësitë e tyre dhe Shqipëri Udhëheqësishë që nuk  denjojnë të flasin me qytetarët e tyre. Gjithmonë kemi pasur dhe ende kemi një Shqipëri hallexhinjsh që dinë veç të ankohen, binden, tremben, rreshtohen, përshtaten por jo të veprojnë, kërkojnë, ëndërrojnë, punojnë për një jetë më të mirë.  Gjithmonë kemi pasur dhe ende kemi një Shqipëri kotësinarësh, llumatorësh, mohimologësh, spiunësh, përrethsash, ardhiksash, që dinë veç të dëmtojnë, shpërfillin, pengojnë, bllokojnë, rrëzojnë, baltosin, e dekurajojnë të tjerët. Dhe gjithmonë kemi pasur dhe ende kemi një Shqipëri të shpresës. E pikërisht për shkak të kësaj Shqipërie të shpresës ia vlen të përpiqemi të gjithë, ia vlen që të gjithë ne shqiptarët të sfidojmë vetvetet tona për përsosje, për transformim.  Kur ne flasim me vete sepse na mbajnë peng si Uliksin që kërkonte Itakën, duke na vendosur parreshtur mes Shilës dhe Karribdës, pra mes alternativave: e keqja më e vogël apo e keqja më e madhe, atëherë le të kërkojmë brenda vetes arsyet e drejta, sepse ndoshta do ta gjejmë edhe kurajën për ti thënë JO,  Profetëve të Sindromës së Sorrës që kanë 30 vite që na shurdh-verbojnë me parimin se: kur nuk ke pulën, do hash sorrën. Kur ne flasim me vete sepse nuk na lënë të zgjedhim por na shtijnë të votojmë, atëherë, le të marrim frymë thellë një hop, të hedhim sytë drejt ndërgjegjes sonë e tu përgjigjemi se ne zgjedhim dinjitetin tonë.

Kur ne flasim me vete sepse na vjedhin, grabisin, vrasin, përçmojnë, atëherë, le të bëhemi kqyrës të ndershëm të brendisë sonë dhe të kërkojmë aty forcën që buron thellë nga dashuritë, besimet, trashëgimitë, ëndrrat, aspiratat dhe dëshirat tona më të pastra e të mos lejojmë që të na bëjnë edhe neve pjesë apo instrumenta të keqnajës së tyre.  Tu themi atyre se ne këtej e tutje jemi qytetarë që i dalim për zot vetes sonë, familjeve tona, qyteteve tona, vendit tonë, kombit tonë, e  me vullnet të lirë kemi përqafuar parimin: Le të rrjedhë, le të shpërthejë, le të mbulojë gjithçka mashtrimi, vjedhja, korrupsioni, e keqja, por jo nëpërmjet meje,  jo brenda meje. Nëse mundemi ti bëjmë dot këto gjëra, atëherë Shqipëria e shpresës do të jetë ajo që do ti mbivlejë të gjitha Shqipëritë e tjera. Nëse mundemi ti bëjmë të gjitha këto atëherë do të kemi një Shqipëri që flet për vete.  E kur kemi një Shqipëri që flet për vete, atëherë liderat, udhëheqësitë dhe partitë janë të detyruar të dëgjojnë, binden, shërbejnë.  Kur kemi një Shqipëri që flet për vete, atëherë nuk ka më mbijetojsa por dalëzotsa, ka qytetarë.