Plagosja në Tiranë, dalin në dritë detaje të reja

Detaje të reja kanë dalë ngjarja e rëndë që ndodhi mesditën e sotme në rrugën Myslym Shyri në Tiranë.

I riu i cili mendohet të jetë rreth 30-vjeç, u plagos në kokë në rrethana ende të paqarta, në ambientet e një pallati që po rikonstruktohej, ndërkohë që u dërgua në spital, nga ku mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Fillimisht u raportua se i plagosuri ishte punonjës i pallatit në rikonstruksion, por burime për “Fax News” thanë se në pallatin në fjalë ka një javë që nuk punohet.

Sipas të njëjtave burime, në vendin ku ka ndodhur ngjarja janë parë dy punëtorë të cilët po vendosnin një material ndërtimor brenda kantierit, ndërsa nuk janë dëgjuar të shtëna.

Ajo që vlen të theksohet është se njoftimi i Policisë nuk përkon me fjalët e dëshmitarëve që kanë informacion për ngjarjen.

Në njoftimin e policisë thuhej:

Sot rreth orës 11:30 në rrugën “Myslym Shyri”, dyshohet të jetë qëlluar me armë një shtetas, ende i paidentifikuar, rreth 30 vjeç, pranë një objekti në rikonstruksion.”

Shtetasit i është dhënë ndihma e parë dhe u transportua në spital për ndihmë të specializuar.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”.

Dyshohet se për plagosjen e të riut mund të jetë përdorur ndonjë armë e sofistikuar për të mos shkaktuar zhurmë.

Gjithashtu ekziston mundësia e një konflikti mes të plagosurit dhe dy punonjësve të kantierit.

I riu, i cili u gjet i vetëm brenda kantierit të ndërtimit, u transportuar në Spitalin e Traumës ku ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve.

Policia ende nuk e ka zbuluar identitetin e 30-vjeçarit.