PD i kërkon Prokurorisë verifikimin e kreut të Bashkisë Vorë: I arrestuar në Greqi

Partia Demokratike, në një kërkesë të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, deklaron se kreu i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku është subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit dhe për këtë arsye, nuk mund të ushtrojë funksion publik. ”Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke”.

Ndër të tjera, theksohet fakti se për 12 vjet me radhë, Kajmaku nuk ka udhëtuar në Greqi, megjithëse ka jetuar aty disa vjet me një emër tjetër.

“Në Formularin e Vetëdeklarimit, shtetasi Agim Kajmaku, i njohur ndryshe si Jorgo Toro ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku, i njohur ndryshe si Jorgo Toro, nga periudha 2004-2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”.

Njësoj si në rastin e Valdrin Pjetrit, për të cilin prokuroria nuk ka ende një përgjigje, PD e ka shoqëruar kërkesën e saj me 500 firma qytetarësh. “Nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, Partia Demokratike e Shqipërisë pret një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me synimin që të arrihet qëllimi primar që ka ligji i dekriminalizimit. Konkretisht, qëllimi i ligjit është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to të personave, të cilët janë dënuar për kryerjen të krimeve”.