Partizani mbyll përgatitjet, Lerda me “artileri të rëndë” kundër Kukësit

Partizani ka zhvilluar seancën e fundit stërtivore në prag të takimit hapës të edicionit të ri të Kategorisë Superiore.

Të kuqtë do të zbresin në stadiumin “Elbasan Arena” pasditen e kësaj të premte, ku përballë do të gjejnë nënkampionët në fuqi, Kukësin. Një 90 minutësh që vendos përballë dy skuadrat që shkruajtën historinë sezonin e shkuar, duke dueluar deri në minutat e fundit për titull

Në seancën e sotme, trajneri Franko Lerda ka testuar grupin e plotë të lojtarëve, për të fiksuar edhe 11 titullarët që do të përzgjedh të hedh në fushë në përballjen e parë të sezonit të ri .

Për takimin ndaj Kukësit të gjithë lojtarët janë të gatshëm. Ekipi është grumbulluar në Elbasan ku edhe është përgatitur përgjatë gjithë javës. Takimi Kukësi-Partizani do të luhet ditën e premte 23 gusht në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 19:00.