“Një qytet” me iranianë në Shqipëri, 6 mijë leje qëndrimi

Në një kohë që shqiptarët ikën në masë nga vendi, edhe numri i të huajve që vijnë për të jetuar në Shqipëri po rritet. Vitin e kaluar, aplikimet për leje qëndrimi ishin më shumë se 9 mijë. Ndërkohë, numri total i të huajve që qëndrojnë në Shqipëri me leje qëndrimi ka arritur në mbi 14 mijë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në statistikat zyrtare.

Për të tretin vit radhazi, numrin e aplikimeve për leje qëndrimi e kryesojnë shtetasit iranianë. Në dy vitet e fundit, kanë marrë leje qëndrimi në Shqipëri mbi 6 mijë shtetas nga ky vend. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për një valë emigracioni, por për një komunitet disidentësh të regjimit iranian, të cilët Shqipëria ka pranuar t’i strehojë përmes një marrëveshjeje me SHBA.

Pas iranianëve, numri më i madh i shtetasve të huaj që aplikuan për leje qëndrimi vitin e kaluar ishin italianë, kosovarë dhe turq. Afërsisht gjysma e të huajve që aplikojnë për leje qëndrimi në Shqipëri vijnë për arsye punësimi, ndërsa pjesa tjetër për bashkim familjar, studime apo arsye humanitare. Të huajt vitin e kaluar përbënin afërsisht 0.5% të popullsisë rezidente në Shqipëri.