Maturantja e ekselencës drejt Italisë

Amelia Kurti është një ndër maturantet ekselentë që këtë vjeshtë do të lërë Shqipërinë. Ajo do të studiojë në Itali për gjenetikë, ndërsa thotë se largohet për cilësi më të lartë të mësimdhënies dhe kushte më të mira jetese. Amelia Kurti nuk ka treguar kurrë përtesë në rrugën e dijes, ndaj pas 12 vitesh mbi libra ka korrur rezultate të larta. Nxënësja e Sami Frashërit është një ndër 10 maturantet ekselente të këtij viti.

”Përveçse e vlerësuar ndihem dhe krenare për veten duke qenë se nuk ëhstë aspak e lehtë të arrish rezultatet maksimale”. Për të nuk ka qenë e lehtë të arrijë deri këtu, i janë dashur orë të gjata studimi si dhe sakrifica. ”Nëse ti ke vullnet dhe je këmbëngulës, je sistematik, do t’ia dalësh gjithmonë që të arrish atë çfarë do”.

Do të studiojë për gjenetikë, por jo në Shqipëri. Në tetor do të nisë studimet e larta në Universitetin e Bolonjës në Itali. ”E zgjodha këtë degë se dua të sjell një risi dhe në vendin tim nëse do të kthehem. Në Shqipëri është një rrugë mjaft e gjatë për të mbaruar për gjenetikë.Duhet të vazhdosh 6 vite mjekësi, më pas specializimin. Në 12 vitet e fundit më është dashur të luftoj me dhëmbë për të arritur atë çfarë kam dashur se dihet korrupsioni, mitmarrja”.

Thotë se për shkak të arritjeve të larta është pranuar në 6 universitete, por në njërin prej tyre u penalizua për shkak të mosnjohjes së diplomës së maturës, ndaj ka një apel për Ministrinë e Arsimit. Teksa lë Shqipërinë, jo pa keqardhje, ndan një këshillë për të gjithë të rinjtë. ”Gjithësecili duhet të këmbëngulë në atë që do dhe të mos heqë dorë pavarësisht se sa të vështirë ja paraqesin të tjerët fitoren”. /Ora News/