Mafia e qeveritare e votave mbyll dosjen e Dibrës. Pse heshtin ndërkombëtarët?

Prokuroria mbylli skandalin më të madh të vjedhjes dhe manipulimit të votave në Shqipëria, e dokumentuar me përgjime, të cilat i publikoi BILD. Transferimi i hetimeve nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Dibrës shpëton “çunat problematikë” siç janë kryeministri, ministra, deputetët dhe gjithë zyrtarët e kapur në përgjime për manipulimin e zgjedhjeve. Ky veprim vë në pikëpyetje të madhe Reformën në Drejtësi.

Në historinë e krimeve elektorale nuk ka asnjë rast tjetër ku vjedhja e votave të jetë faktuar me përgjime zyrtare dhe dokumente të prokurorisë, si në rastin e zgjedhjeve në Dibër. Asnjë dosje tjetër nuk ka brenda saj gjithë kupolën e qeverisë duke nisur nga kryeministri, ministra, deputetë të rëndësishëm, drejtorë të administratës e policisë dhe persona të njohur të botës së krimit. Të gjithë i ka bërë bashkë në Dibër qëllimi për të fituar bashkinë në vitin 2016 me çdo mjet, edhe duke blerë vota, duke kërcënuar administratën dhe duke futur njerëzit e krimit për të trembur votuesit. Faktet janë zyrtare dhe janë shkruar nga vetë prokurorët shqiptarë dhe gazeta “Bild” i bëri publike disa muaj më parë për gjithë shqiptarët.

Por dosja më e rëndësishme e skandaleve të politikës dhe krimit për vjedhjen e zgjedhjeve, praktikisht është mbyllur nga Prokuroria e Përgjithshme. Në mënyrë të paprecedentë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur që të mos e hetojë këtë dosje, por t’ja kalojë Prokurorisë së Rrethit Dibër. Argumenti i dhënë nga prokuroria është se nuk kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal, por vetëm me krime zgjedhore. Transferimi i dosjes ka nisur që në muajin korrik, por prokurorja kryesore e Dibrës nuk ka pranuar t’a marrë pasi rezulton se është e afërt me një prej emrave që përmenden në përgjime. Për të zgjidhur problemin ka ndërhyrë vetë Kryeprokurorja Arta Marku, e cila ka urdhëruar dy prokurorët e tjerë që të marrin dosjen. Kjo procedurë që duket si rutinë burokratike, në fakt do të thotë varrosje e dosjes dhe mbylljen e hetimeve për skandalin e vjedhjes së zgjedhjeve. Me kalimin në Dibër hiqet çdo mundësi që të nisin hetimet për zyrtarët e lartë që përmenden në përgjime. Sipas publikimeve të gazetës “Bild” dhe denoncimeve të opozitës del se emrat që janë përfshirë në skemën e vjedhjes së votave janë: Edi Rama, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu, Arben Keshi, Dionis Imeraj, Valbona Sako dhe shumë të tjerë.

Të gjitha zyrtarët janë me imunitet parlamentar dhe kalimi nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Dibrës do të thotë se as mund të vihen nën hetim dhe jo më të pyeten nga Prokurorët. Në këtë mënyrë, transferimi i dosjes nuk ngjan si akt procedurial, por një skenar për të mbyllur hetimet. Derisa prokurorët e Krimeve të Rënda nuk patën kurajë të hetojnë emrat e politikës që janë në këto përgjime, ata të Dibrës as që do e marrin mundimin të lexojnë se cilat janë shkeljet që kanë bërë zyrtarët. Dosja e Dibrës shënoi dhe fillimin e krizës më të rëndë politike në këto gati 30 vjet. Manipulimi i zgjedhjeve u denoncua nga PD që në vitin 2016. Prokurorët që e morën seriozisht hetimin e saj u transferuan ose kërcënuan me të gjitha mënyrat për të mos vijuar më tej. Publikimi i një pjesë të përgjimeve në gjatë vitit 2018 nga opozita ku përmendeshin zyrtarët më të rëndësishëm të qeverisë për manipulim zgjedhjes ishte ndër argumentet kryesorë, bashkë me dosjen e Shijakut, për bojkotin parlamentar dhe më pas djegien e mandateve nga opozita. Po pjesë e kësaj dosje ishin dhe përgjimet kryesore të gazetës “Bild”. Gazeta më e madhe gjermane tronditi politikën shqiptare, dhe jo vetëm, duke treguar me audio dhe dokumentet gjithë skemën e manipulimit të zgjedhjeve nga policia, ministrat dhe “çunat problematikë” të PS. Përgjimet turpëruese për qeverinë u shoqëruan me titullin tronditës “Shqipëria, shtet mafioz”, sepse në dosje është dhe vet kreu i qeverisë. SHBA dhe BE kërkuan hetime për këtë dosje dhe moralisht i dhënë të drejtë opozitës në denoncimet që kanë bërë.

Dosja e manipulimit të zgjedhjeve vijoi më pas me skandale të tjera brenda prokurorisë, pas ndërhyrjeve të qeverisë për të zhdukur dokumentet. Sot jemi para faktit të kryer që krimin më të rëndë elektoral të faktuar me dokumente zyrtare, kryeministri Edi Rama e kanë varrosur. Transferimi i dosjes më shumë se vendim i Arta Markut është një urdhër politik që shpëton nga hetimi gjithë zyrtarët e përfshirë në shkelje ligjore. Me mbylljen e kësaj dosje merr fund shpresa se krimi elektoral do të ndëshkohet ndonjëherë, por po ashtu del se qeveritarët që bërtasin çdo ditë për reformën në drejtësi janë ata që po kanë vrarë reformën që në lindje.

Pyetja vjen se pse po heshtin ndërkombëtarët?

Mili Xhani