Liqeni i Pukës, nga ferra në atraksionin turistik

Liqeni artificial i Pukës, i kthyer tashmë në një destinacion turistik, ofron për të gjithë vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin. Ndërsa deri dje ky peizazh ngjante me një gropë septike, sot falë rehabilitimit të kryer është shndërruar plotësisht dhe ofron një pamje mbresëlënëse. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një sërë fotosh që tregojnë transformimin e liqenit të Pukës të kryer falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane. Më herët pranë liqenit të Pukës kishte vetëm ferra, gropa e plehra e nuk shkelte askush.

“Ky është liqeni në fund të bulevardit të qytetit të vogël të Pukës. Imazhet aktuale që do t’ju pëlqejnë besoj, s’janë 3D po fotografi nga realiteti i një destinacioni të ri turistik, aty ku deri dje, siç mund ta shihni në fotot e para pak kohe, kishte vetëm rrënim, ferra, gropa e plehra e nuk shkelte askush. Falë Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, në atë qytet mes pyjesh e peizazhesh fantastike, po ndodh një transformim që vit pas viti, do të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj”,-thotë Rama. Liqeni artificial i Pukës, së bashku me parkun e pishave është surpriza e radhës për vizitorët e huaj dhe vendas. Liqeni tashmë është kthyer në një destinacion turistik dhe ofron për të gjithë vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin.

Puka shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë. Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese.