Kadri Veseli: Do të jem kandidat për Kryeministër

Pas shpërndarjes së Parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha se ai është kandidat për Kryeministër në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në vend. Si premtimin e parë elektoral, Veseli tha se do të luftojë korrupsionin në Kosovë.

“Unë jam Kadri Veseli, do të jem kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës. Unë veç diçka në jetë di, me mbajt fjalën. E mbaj gjithmonë, iu kam thënë se do të ketë zgjedhje edhe do të ketë zgjedhje. Ju kam thënë se do të largohen të gjithë uzurpatorët nga pronat e uzurpuara, sepse ligji është më i fortë se secili i fort që mendon në Kosovë. Kështu do të jetë edhe luftë kundër korrupsionit”, tha Veseli.

Po ashtu, ai tha se këto zgjedhje janë për t’i dhënë një legjitimitet të fuqishëm qytetarëve, të rinjve, grave. “Njerëzit e Kosovës nuk guxojnë të dështojnë dhe Kosova s’do të dështojë, do të ecë përpara”, shtoi Veseli.