Fluks udhëtarësh, në 4 ditë rreth 26 mijë pasagjerë drejt Italisë

Në portin e Durrësit ka nisur rikthimi masiv i bashkëatdhetarëve që kaluan pushimet verore pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni. Nga të dhënat operative ditore të Autoritetit Portual Durrës, mësohet se vetëm në periudhën 16-19 gusht tragetet që nisen drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes janë shfrytëzuar nga 25,686 udhëtarë vendas dhe të huaj me rreth 6 mijë autovetura gjithsej.

Në Durrës në të njëjtën periudhë kanë mbërritur me tragete vetëm 11 mijë udhëtarë me 2,541 autovetura. Shtatë tragete po lundrojnë në linjat nga Durrësi drejt Italisë e anasjelltas, dhe në ditë të veçanta po kryejnë edhe dy lundrime në 24 orë.

Fluksi i udhëtarëve drejt Italisë pritet të vijojë deri në mesin e muajit shtator. Sipas të dhënave operative të APD, gjatë periudhës 1-19 gusht tragetet nga/drejt Durrësit janë preferuar nga 175,715 udhëtarë me 42,310 autovetura gjithsej.