Fiskalizimi, Denaj në konsultimin e dytë me grupet e interesit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi sot tryezën e dytë të konsultimit publik mbi projektligjin për fiskalizimin me përfaqësuesit e sipërmarrjeve që operojnë në fushën e Teknologjisë së Informacionit. Gjatë takimit të mbajtur me grupet e interesit, Denaj tha se ky komunitet luan rol të rëndësishëm në lehtësimin e procedurave për biznesin në këtë fazë të rëndësishme transformimi, me fokus modernizimin e sistemit fiskal.

Ajo vlerësoi mendimet e paraqitura nga përfaqësuesit e këtij komuniteti, duke thënë se “vlerësoj maksimalisht mendimet e paraqitura nga përfaqësuesit e këtij komuniteti si një vlerë e shtuar në shërbimet teknologjike që do të sjellë ky sistem i ri”. Denaj ka lajmëruar se takimi i radhës i konsultimeve do të mbahet ditën e nesërme me Këshillin Tatimor.

Projektligji i Fiskalizimit synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend. Ai parashikon që, duke nisur që nga data 1 janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri-tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Reforma e Fiskalizimit është një angazhim madhor i Qeverisë shqiptare në përpjekje për të minimizuar ekonominë informale, përmes modernizimit të sistemit të monitorimit të taksave. Qëllimi i këtij projekti është minimizimi i nivelit të ekonomisë informale, përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, identifikim më i lehtë i evazionit fiskal, bërjen e auditimit të taksave më kost-eficiente, uljen e nivelit të korrupsionit në administratë, ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin si dhe pozicionimi i Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Europian.