“Dosja 184”, Çejku: Prokuroria e Dibrës ta çojë te pleqësia

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni dhe Kosovë, Arben Çejku, tha se fakti që Prokurorja Speciale në Maqedoninë e Veriut, personi që duhet të bënte drejtësi, përfundoi para drejtësisë, tregon që në Ballkan ka probleme të mëdha në këtë fushë.

Duke e lidhur me rastin e përgjimeve në Dibër të publikuara nga “Bild”, dosje që Krimet e Rënda e kaluan për hetim te Prokuroria e Dibrës, Çejku u bëri thirrje të gjithë prokurorëve që të bëjnë kujdes, pasi një ditë të gjithë do të përgjigjen para drejtësisë, ashtu siç ndodhi me Janevën.

”Rasti i dërgimit të “Dosjes 184” në Dibër është skandaloz, ironi dhe dhunim i hapur ndaj qytetarëve. Mungon vetëm që Prokuroria e Dibrës ta çojë këtë dosje te pleqësia e Kastriotit dhe ta diskutojnë ata më mirë se çfarë ka ndodhur. Të gjithë i kanë sytë te institucionet qendrore të drejtësisë, ndërsa këto institucione abuzojnë. Rasti i Janevës duhet të shikohet mirë nga të gjithë pasi të gjithë do të paraqiten një ditë para drejtësisë. Qytetarët shqiptarë nuk kanë më durim, kanë nevojë për drejtësi dhe barazi. Askush nuk duhet të guxojë që të bëjë projeksione për interesa personale”.