Civici: Informaliteti “gangrenë” për ekonominë, por nuk luftohet me aksion

Ekspertët sugjerojnë që qeveria të ndjekë politika më të qënrdueshme për të luftuar informalitetin dhe jo vetëm me aksione disa mujore.Adrian Civici thekson se informaliteti në Shqipëri është një gangrenë për ekonominë, i cili ndikon direkt në investime apo në punësim.

Informlaiteti i cili ka përfshirë ekonominë shqiptare ka nevojë për politika të përhershme dhe të qëndrueshme dhe jo për aksione disa mujore.

Eksperti, Adrian Civici, thekson se përtej vullnetit politik është e nevojshme edhe përmirësimi i strukturës së mbledhjes së taksave.

Adrian Civici: Në radhë të parë është shprehje e vullnetit qeverisës dhe vullnetit politik për ta luftuar informalitetin që në një farë mënyrë mishërohet edhe në këtë aksion intensiv disa mujor që ka filluar. Së dyti, është shumë e rëndësishme përmirësimi strukturor i gjithë sistemit të mbledhjes së të ardhurave nëpërmjet përmirësimit edhe të dokumentacionit, evidentimit dhe transparencës.

Civici e konsideron informalitetin një plagë të rëndë për ekonominë shqiptare.

Adrian Civici: Informaliteti është nga fenomenet më negative për efiçensën dhe funksionimin e ekonomisë së një vendi. Jo vetëm për garantimin e qëndrueshëm të të ardhurave në buxhet, por edhe për të gjithë aktivitetet që kanë të bëjnë me kreditë, me finacimet, me investimet e huaja direkte.

Ndërsa përsa i përket efekteve në nivelin e të ardhurave në buxhet, Adrian Civici, deklaron se është shumë herët për të parë rezultate.

Adrian Civici: Meqë bëhet fjalë për një aksion të nisur para dy muajve, efektet mund të jenë të menjëhershme, megjithëse sipas statistikave të fundit të Ministrisë së Financave ka një përmirësim në treguesin e të ardhurave si pasojë e luftës kundër informalitetit.

Që prej korrikut, në vend ka nisur një aksion kundër informalitetit, ndërsa ka rezultuar se 40 % e subjekteve të kontrolluara kanë rezultuar me shkelje.